Shtetet e Bashkuara mund të kishin kursyer me mijëra viktimat nga koronavirusi nëse do të kishin aplikuar masa më të rrepta në fillimin e pandemisë. Eksperti i vendit për sëmundjet infektive thotë se rekomandimi u bë por nuk u mor parasysh.
Ekspertët e shëndetit publik i rekomanduan presidentit amerikan, Donald Trump, të ashpërsojë rregullat kundër pandemisë së koronavirusit që në muajin shkurt, por kreu i shtetit i refuzoi ato.
Këtë vendim e ka konfirmuar drejtori i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Alergjike dhe Infektive, Entoni Fauçi, i cili prej javësh del në konferenca me presidentin për të raportuar mbi situatën në vend.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, CNN, doktor Fauçi pranoi se një vendim i hershëm mund të ishin shpëtuar më shumë jetë njerëzish.
“Ne bëjmë rekomandime të karakterit të shëndetit publik. Shpesh rekomandimet tona merren parasysh, dhe shpesh jo. Logjikisht, marrja e masave në fillim, mbyllja e gjithçkaje, nuk e mohoj se mund të na shpëtonte jetë, por jemi në situatën që jemi,” u shpreh eksperti i sëmundjeve infektive.
Në rrjetet sociale, njerëzit pranë presidentit e akuzuan Fauçin se më 29 shkurt ai vetë e kishte mohuar publikisht se situata me koronavirusin nuk përbënte rrezik për publikun.
Edhe Trump iu bashkua sulmeve mediatike ndaj tij duke i cilësuar të rreme raportimet se qeveria e tij gaboi me vendimmarrjen, ndërsa mori shembullin e mbylljes së kufijve me vatrën e atëhershme, Kinën, që në janar, se kishte vepruar me përgjegjshmëri.
Në Twitter ai përcolli edhe një mesazh të një ish-kongresisteje republikane për shkarkimin e Fauçit.
Numri i rasteve me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara ka kaluar 560 mijë dhe një total prej 22 mijë vetash kanë humbur jetën.
Të 50 shtetet, përfshirë kryeqytetin Uashingtonin D.C. janë në statusin e fatkeqësisë madhore, po aplikojnë urdhrat të vetizolimit shtëpiak për banorët dhe të distancimit social, ndërsa 16 milionë amerikanë kanë mbetur të papunë në tri javët e fundit.


