Gazetari Elton Qyno është shprehur se Orges Bilbili financohej nga disa persona të tjerë për jetën që bënte në Tiranë. I ftuar në studion e lajmeve në Report TV, Qyno tha se të gjitha pistat janë të hapura dhe se duhen gjetur njerëzit që e kanë financuar të rrezikshmin.
“Të gjitha pistat janë të hapura për të kuptuar se kush e ka ndihmuar financiarisht dhe kush i ka vënë në dispozicion banesë dhe ka financuar veprimtaritë e tij kriminale.
Padyshim ka persona që e kanë ndihmuar, pasi nuk mund të ketë vepruar i vetëm në një kohë që ishte i kërkuar nga gjithë policia,”– tha Qyno.
Mesditën e kësaj të premteje, Orges Bilbili, një nga autorët e masakrës së Lushnjes, dhe pjesë e bandës së Lushnjes, është plagosur me armë zjarri nga një efektiv i policisë Shqiponja.
Bilbili u pikas duke ecur në zonën e Xhamllikut, dhe ka kundërshtuar urdhërin e Policit për t’i paraqitur kartën e identitetit. Në këtë moment ai ka vrapuar dhe ka nxjerrë nga çanta një armë zjarri.
Pasi e ka ndjekur, polici e ka paralajmëruar të ndalojë por Bilbili i ka thënë se do e qëllojë nëse nuk largohet. Efektivi ka qëlluar një herë në ajër, më pas e ka plagosur në këmbë. Për pasojë është plagosur edhe një grua aksidentalisht. Të dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spital.