Ditën e sotme rrobaqepësja Valentina Bani dhuroi disa maska mbrojtëse për efektivet e policisë së Sarandës.
Ndalesa e saj në një nga rrugët e qytetit tërhoqi vëmendjen e qytetarëve duke marrë falenderime të shumta nga punonjësit e policisë.
Bani tha se qyteti jonë në këto ditë lufte ka vend për kontributin e të gjithëve duke veçuar se ndihma të tilla do të ofrojë në disa institucione të tjera.
Situata nga Pandemia Covid 19 sa vjen dhe rëndohet në shumë shtete të botës. Në Sarandë interesi për të blerë maska po shtohet. Janë disa pika ku rrobaqepëset po prodhojnë maska duke parë mungesën e tyre në tregun farmaceutik.
Valentina Bani tregon se këto ditë janë me dhjetëra raste ku qytetarët interesohen për maska që përdoren disa herë dhe janë plotësisht të sigurta. Bani shpjegon se i është dashur të punojë me orë të gjata për të plotësuar kërkesat e këtyre ditëve. Çdo ditë ka një fluks të shtuar të qytetarëve.
Tashmë ndërgjegjësimi i qytetarëvë është i lartë dhe përdorimi i maskave në ambiente pune dhe publike është një domosdoshmëri.




