Një sasi e madhe informacioni të rremë e mashtrues po qarkullon në internet në lidhje me koronavirusin: këshilla të dyshimta shëndetësore e deri dhe në spekulime në lidhje me planet e qeverisë.
Kjo është historia se si një postim u bë viral.
Një listë me këshilla dhe udhëzime – disa të vërteta, disa dashamirëse dhe disa ndoshta të dëmshme – qarkulloi në Facebook, WhatsApp, Twitter dhe gjetkë.
Postimi i emërtuar “Uncle with master’s degree” (Xhaxhai me diplomë master) për shkak të burimit të pretenduar të informacionit, u nda në “Facebook” nga profili i një burri britanik 84 vjeç, në “Instagram” në llogarinë një prezantuesi të TV Ghanaian, përmes grupeve në Facebook për indianët katolikë e forumet specifike për koronavirus, grupe “WhatsApp” dhe llogari në “Twitter”.
Në pamje të parë duket e ligjshme, sepse informacionet i atribuohen një burimi të besueshëm: një mjeku, një institucioni, një “xhaxhai” të mirarsimuar.
Postimi Zero
Versioni më i hershëm që u gjet ishte postuar nga një përdorues i Facebook më 7 shkurt. Postimi u shpërnda në një grup të quajtur “Happy People” (Njerëz të Lumtur) me afro 2 000 anëtarë.
Në postim shkruhet: “Xhaxhai i shokut tim të klasës, me diplomë master, punon në Spitalin Shenzhen. Ai po transferohet për të studiuar virusin e pneumonisë Wuhan. Ai më telefonoi dhe më tha që t’u tregoja miqve të mi …”
Këshillat që vijojnë janë të gabuara. Njëra thotë se ju nuk e keni virusin “nëse ju kullojnë hundët”. Sipas organizatave për kontrollimin e fakteve “Full Fact” dhe “Snopes”, që citojnë autoritete shëndetësore përfshirë Qendrat e SHBA për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe revistën mjekësore “Lancet”, rrjedhja e hundës është e rrallë, por jo e panjohur midis pacientëve me koronavirus.
Postimi gjithashtu inkurajon njerëzit të “pinë më shumë ujë të nxehtë” dhe “të mos e pinë akull”. Aktualisht nuk ka asnjë provë mjekësore që kjo ndihmon në parandalimin ose kurimin e koronavirusit.
Përpjekjeve për kontaktim, personi që postoi informacionin nuk u përgjigjet.
Përhapja e postimit
Disa ditë më vonë, lista u nda nga një njeri me emrin Glen në Indi. Ai e shpërndau atë në disa grupe të ndryshme në Facebook, përfshirë dhe ato për katolikët.
Postimi i ri ishte i ndërtuar mbi postimin e 7 shkurtit, por me informacion shtesë. Megjithëse në postimin e ri thuhej: “Xhaxhai i shokut tim të klasës, diplomuar me master…, Glen në të vërtetë nuk mori ndonjë telefonatë nga xhaxhai. Ai thotë se thjesht shpërndau postimin. Këshillat shtesë përfshinin disa këshilla të sakta – për shembull, ai u thotë njerëzve të lanin duart, një masë kryesore parandaluese. Por versioni i ri ka gjithashtu disa informacione të pabazuara dhe mashtruese. Për shembull, përshkruan në detaje shumë specifike se si sëmundja përparon. Por mjekët thonë se simptomat e koronavirusit janë shumë të ndryshueshme dhe nuk ka asnjë model të saktë të përparimit të sëmundjes.
Postimi bëhet viral
Për disa javë postimi ishte i kufizuar në shpërndarje relativisht të vogla. Por më 27 shkurt, një 84-vjeçar ish-pronar i galerisë së artit, i quajtur Peter, bëri të mundur pushtimin e rrjetit. Postimi i Peter ishte i ngjashëm me të Glen, por përsëri me disa informacione të reja – disa prej tyre të gabuara ose mashtruese. Postimi i tij u përhap me shpejtësi, duke e sjellë atë në vëmendjen e kontrolluesve të fakteve përfshirë “Full Fact” dhe “Snopes”. Të dyja organizatat shkruajtën analiza të hollësishme që kundërshtojnë pretendimet e postimit, duke përmendur burime të besueshme mjekësore, përfshirë OBSH, CDC amerikane, Shërbimin Kombëtar të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar (NHS) dhe të tjerët.
Për shembull, një pretendim në post thekson se virusi “urren Diellin”, por deri më tani nuk ka asnjë provë që rrezet e diellit vrasin virusin. Raste infektimi janë raportuar në shumë vende me klimë të nxehtë dhe me diell.
Peter, i cili jeton në jug të Anglisë, redaktoi pjesët mashtruese të postimit të tij pasi kontrolluesit e fakteve postuan historitë e tyre. Por deri atëherë, ai ishte ndarë tashmë gati 350 000 herë.
Kur u kontaktua nga BBC, Peter nuk tha konkretisht se ku e mori informacionin në postim, por tha se ai i besonte burimit të tij në atë kohë.
“Unë besoja se kishte në të vërtetë fakte shkencore, një mjek do t’i jepte të gjitha ato fakte dhe shifra”, tha ai në një intervistë telefonike. Ai tha se po përpiqej të ndihmonte njerëzit të mbroheshin. “Përpiqem të jem sa më i saktë. Nëse e zbuloj veten se kam thënë diçka gabimisht, kërkoj falje dhe e ndryshoj”, thotë ai.
Shndërrimi i postimit
Megjithë redaktimet e tij të bazuara në fakte, pretendimet në versionin origjinal të postimit u përhapën shpejt dhe u ndryshuan. Disa versione filluan të thithin informacione të mëtejshme mashtruese.
Burimi u zhvendos gjithashtu. Në disa versione, të cilat kaluan përtej Facebook në Whatsapp dhe Twitter, “xhaxhai me një master” u bë “anëtar i bordit të spitalit Stanford” dhe madje edhe “vëllai i mikut të motrës së një shoku, i cili thjesht ndodh që të jetë në bordin e Spitalit Stanford”. Kishte gjithashtu informacione që u atribuohen “mjekëve japonezë” dhe “ekspertëve tajvanezë”, midis shumë modifikimeve të tjera.
Postimet që përmendnin Stanford – të paktën 100 janë shfaqur vetëm në Facebook – u përhapën me aq shpejtësi sa universiteti lëshoi një deklaratë duke mohuar se kishin ndonjë lidhje me ta.
Postimi tejkalon gjuhët
Postimi u përhap më pas ndihmuar nga të famshëm, përfshirë një prezantues TV Ganaian dhe një aktor amerikan, por edhe nga një numër i njerëzve të zakonshëm. Një grua amerikane postoi një version në një grup në Facebook të quajtur “Coronavirus Updates” një nga mijëra grupe në rrjetin social krijuar për këtë qëllim.
Postimi i atribuohej “nipit të një shoku në ushtri”. Ajo shpjegoi se kishte parë informacionin kur një mik e shpërndau atë. “Unë përdor Facebook gjatë gjithë ditës, çdo ditë. Kam gjetur shumë informacione të dobishme … Unë nuk i shikoj lajmet”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë postimi u përkthye në disa gjuhë, duke përfshirë arabisht, Amarro, vietnamisht, frëngjisht, spanjisht dhe italisht.
Përsëri, disa nga postimet përmbajnë informacione të sakta, por edhe të tjera të dëmshme.
Një këshillë sugjeron të bëni një “kontroll” të koronavirusit çdo mëngjes duke mbajtur frymën tuaj për më shumë se 10 sekonda. Nuk ka asnjë provë që të tregojë se aftësia juaj për ta bërë këtë do të thotë që jeni pa viruse.
Copypasta
“Xhaxhai me një master” është një lloj specifik i postit viral – termi zhargon për të është “copypasta”. Ky është materiali që dikush kopjon dhe ngjit në vend që të përdorë “share”, “retweet”, mjete të tjera të ndarjes të siguruara brenda rrjeteve sociale.
Kjo bën që çdo postim të duket origjinal: duket se është shkruar nga dikush që e njeh, ndoshta një mik apo i afërm, duke rritur kështu mundësinë që mund t’i besosh.
Si po reagon Facebook-u
Për postimet mashtruese që nuk u redaktuan për të hequr dezinformatat, një zëdhënës i Facebook-ut tha: “Këto postime shkelin politikat tona dhe janë hequr. Po punojmë vazhdimisht për të hequr keqinformimin e dëmshëm në lidhje me koronavirusin”.
Kompania gjithashtu po fut tekstin nga postimet në sisteme të automatizuara në mënyrë që të zbulojë përmbajtje të ngjashme. Gjigandët e teknologjisë – Facebook, Microsoft, Google, Linkedin, Reddit, Twitter dhe YouTube – janë zotuar të punojnë së bashku për të luftuar dezinformimin mbi viruset.
Kontrolluesit e fakteve thonë se të gjithë mund të bëjmë diçka – duke menduar mirë para se të shpërndajmë informacion.
“Ndaloni për një sekondë. Shikoni pak. Shikoni nëse mund të mësoni më shumë informacion në lidhje me të”, thotë Claire Milne nga “Full Fact”.
Nëse burimi duket i paqartë ose postimi është një listë e gjatë me informacion, krahasoni pretendimet me burime të njohura, të besuara.
Përzierje e së vërtetës dhe e pakuptimtës
Njerëzit që ndajnë postimin “xhaxhai me master” – i cili ende po përhapet në internet në versione të ndryshme – në përgjithësi nuk janë keqdashës: ata zakonisht besojnë se po përcjellin fakte.
Postimi i “xhaxhait” është gjithashtu një përzierje e së vërtetës dhe të pakuptimtës, gjë që e bën atë të përhapshëm lehtësisht.
“Kur gjërat [e gabuara] janë të përziera me gjëra që tingëllojnë të arsyeshme ose të vërteta, njerëzit ngatërrohen dhe në disa raste mendojnë se edhe pjesa tjetër e këshillave është e ligjshme”, thotë Z. Kasprak nga “Snopes”.
Pyetje për t’u bërë para se të shpërndani informacion
A ju duket burimi i informacionit i paqartë? Sigurohuni nga erdhi historia ose mos e ndani atë. Vetëm se e dërgon dikush që keni besim, nuk do të thotë se informacioni vjen nga dikush që ai e njeh në të vërtetë.
A duken të vërteta të gjitha informacionet? Kur ka lista të gjata, është e lehtë të besosh gjithçka në to vetëm, sepse një nga këshillat është e saktë.
A ju bën përmbajtja emocionale – të lumtur, të zemëruar apo të frikësuar? Keqformimi shkon viral, sepse luan me emocionet tona, një shenjë kjo që tregon se informacioni mund të mos jetë i vërtetë.
Thellohuni. Përparimet shkencore, këshillat për parandalimin ose njoftimet publike duhet të vijnë nga burime me reputacion e zyrtare.


