Izolohet një fshat i tërë pas identifikimit me koronavirustë një çifti bashkëshortësh, pasi burrë e grua kanë pasur kontakte të ngushta me banorët e fshatit Mbërs të njësisë Administrative Kurjan, bashkia Roskovec.
Autoritetet e Institutit të Shëndetetit Publik dhe Policia e Shtetit, pas thirrjes së bashkisë së Roskovecit për vetëizolim, vendosën karantinimin e të gjithë fshatit. Dy postblloqe policie janë vendosur në hyrje dhe dalje të fshatit Mbers, duke bllokuar lëvizjen e banorëve.
Sipas bashkisë së Roskovecit, mësohet se lëvizin vetëm automjetet e autorizuara për furnizimet bazë ushqimore të fshatit dhe këto nën kontroll të rreptë të policisë.
Kryeplaku i fshatit thotë se çifti i bashkëshortëve më shumë kanë rrezikuar Roskovecin pasi kanë lëvizur në market edhe me taksi, më shumë se sa fshatin, pasi sipas tij, shtëpia e tyre është shumë e veçuar nga banorët e tjerë.
Kryeplaku i fshatit Mbërs: Mos ta bëjmë shumë tragjike për çiftin e infektuar, se fshati Mbërs është aq i rrezikuar saç është gjithë popullsia. Çifti i infektuar banon në Durrës, ndërsa në fshat ka një shtëpi të vjetër aty dhe erdhi aksidentalisht dy ditë, dhe nuk ka lidhje shtëpia me fshatin është shumë larg, matanë lumit. Kurse fshati është në distancë tjetër. 3-4 kontakte që kanë pasur ne i kemi izoluar nëpër shtëpi, takimi është vetëm në dorë. Gruaja është shumë e sëmurë, bënte 7 insulina në ditë, ka qenë diabetike që është dhe e prekur. Personat kanë pasur më shumë kontakte në Roskovec në market, me taksixhi, që ne i kemi identifikuar i kemi shkuar tek shtëpia i kemi thënë të mos dalë, të vetëkarantinohet. Vajti u vizitua gruaja në spital, atje i doli se nuk tregoi. Fshati nuk është aq problem, më shumë i rrezikuar mund të jetë Roskoveci. Ata nuk kanë lidhje farefisnore me fshatin lart që të kenë vajtur në kafe. Sipas rregullores ne kemi marrë masat.
Kryeplaku i fshatit Mbërs
Çifti i bashkëshortëve ndodhen në Spitalin Infektiv në Tiranë.
Ditën e djeshme bashkia e Roskovecit, njoftoi se dy banorë të fshatit kishin rezultuar pozitiv me COVID-19. Familja ka pasur histori udhëtimi në Itali.
“Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve për të kuptuar rëndësinë e kësaj situate dhe respektimin e rregullave bazë: qëndrimin në shtëpi dhe higjienë maksimale personale për veten dhe të tjerët. Kjo është një ‘luftë’ që na përket të gjithëve, kujdesuni për veten dhe miqtë tuaj pasi kështu do të mund të mbrohemi të gjithë. Urojmë shërim sa më të shpejtë çiftit. Zoti qoftë me ne! Jo panik, kujdes, qëndroni në shtëpi, vetëizolohu”, apeloi bashkia e Roskovecit.


