Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila u shënua fillimisht në Shtetet e Bashkuara. Në disa prej vendeve kjo ditë shërben si protestë por në Shqipëri është kthyer prej vitesh në një ditë festimesh.
Në një prenoncim për ALPEnews.al, psikologia e njohur Adelina Pjetra shprehet se 8 marsi duhet të shërbejë edhe si protestë për mbrojtjen e dinjitetin e gruas shqiptare.
8 marsi, festë apo protestë në Shqipëri?
Dita Ndërkombëtare e Gruas (8 Mars) është një ditë globale që feston arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave. Dita shënon gjithashtu një thirrje për veprim për përshpejtimin e barazisë gjinore.
Tema kryesore për këtë ditë është “Mendoni si të Barabartë, Ndërtoni me Zgjuarsi, Inovative për Ndryshim”, duke vendosur risinë nga gratë dhe vajzat, për gratë dhe vajzat, në zemër të përpjekjeve për të arritur barazinë gjinore. Nëse në botë kjo ditë feston për arritjet e gruas por edhe lobon për barazi gjinore, në Shqipëri prej disa vitesh është kthyer si një klithmë për jetën.
Pyetja që kam është se a mundemi ne të festojmë për arritjet e gruas Shqiptare kur kronikat e lajmeve janë të mbushura gjatë gjithë vitit dhe për disa vite rradhazi vetëm me vrasje makabre dhe keqtrajtime?
Besoj që ky 8 Mars për ne është protestë në mbrojtje të dinjitetit, respektit dhe JETËS së gruas Shqiptare. Sot, duhet të mbajmë dhe festojmë ditë të veçanta, me marshime dhe parulla, në mënyrë që të mbajmë padrejtësinë në qendër të vëmendjes. Ti japim zë dhe të luftojmë për drejtësi. Le të festojmë 8 Marsin njëkohësisht si një ditë që shënjon përparim të gruas, por edhe si një ditë të veçantë të destinuar për t’u zhdukur sepse ne do të vazhdojmë të luftojmë, kudo, pavarësisht nga mosmarrëveshjet kundër nesh, derisa të arrijmë barazi, respekt dhe dinjitet të mirëfilltë.
Mesazhi për vajzat e gratë shqiptare: “Le ta nderojmë fuqinë e gruas. Për femrat e forta.
Ti njohim ato, të bëhemi ato e ti rrisim ato”.
ALPEnews.al


