Anti-KÇK (kap çfarë të kapësh) nga sot është tashmë një paketë ligjore, e cila u miratua pas diskutimeve të zjarrta në seancën plenare të Kuvendit, ku hasi kundërshtitë e forta të opozitës parlamentare duke e cilësuar mbivendosje të kompetencave të SPAK. Me 89 vota pro, 3 abstenim dhe 17 kundër, Kuvendi ka kaluar paketën ligjore Anti-KÇK, që do të veprojë me një fuqi 1-vjeçare deri më 31 dhjetor, megjithatë gjatë diskutimeve në parlament u la të kuptohej se afati i saj edhe mund të zgjatej në kohë, por kjo do të shihej gjatë zbatimit të saj në vazhdimësi.
Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Rama i është përgjigjur të gjithë skeptikëve lidhur me goditjen e pasurive të dyshuara nga krimi përmes Anti-KÇK, ku sulmoi presidentin, opozitën por dhe avokatin e popullit se janë rreshtuar kundër qeverisë për t’i dalë në mbrojtje elementëve të krimit të organizuar.
‘Operacioni Forca e Ligjit duhej të ishte miratuar më herët‘ – tha Rama, por sipas tij- ‘momenti i duhur ishte me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë që kanë dhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë.’
Akuzat se po merr kompetenca të prokurorëve dhe gjykatës, Rama sqaroi për të gjithë se OFL-ja nuk merret me proceset gjyqësore, por me pasuritë e atyre që kanë pasur probleme me drejtësinë, të cilët kanë barrën e provës të faktojnë nëse gjithçka e kanë vënë me burime të ligjshme apo nga para të botës së krimit.
“Kush nuk është i dënuar, nuk ka lidhje fare me OFL-në. Edhe kriminelë, të cilët janë aktivë, këtu apo jashtë dhe nuk kanë asnjë dënim fare, nuk janë objekt i këtij ligji. Ky ligj është shumë i thjeshtë. Unë di që ti je dënuar me dënim të formës së prerë dhe dënimin e ke për vete dhe nuk kam punë me gjyqin tënd, apo nuk kam ndërmend të bëj gjyqin tjetër. Shteti të thotë trego nga i ke këto pasuri”, tha Rama.
Sa për hetim të politikanëve të korruptuar, Rama tha se ajo ditë është më e afërt nga sa mendohet, madje dhe vetë mezi pret që të tregojë se nuk vjen nga zullumi.
“Që do të vijë dita, do të vijë, është më afër sesa duket për të gjithë ne këtu. Unë i pari, pastaj për të gjithë të tjerët këtu, por edhe për ata që janë jashtë do të vijë dita që do të duhet të provojnë që nuk vijnë nga zullumi. Unë mezi e pres atë ditë, sepse më vjen keq kur politika në tërësi, duke thënë “ju kriminelët”, “ju bëni telefon me ata”, “ju… ju… ju…”. Nuk ka “ju… ju…” e keqja dhe balta i bie të gjithëve, ndërkohë që nuk jemi të gjithë njësoj. Ne dhe të gjithë ata që janë subjekt i deklarimit të pasurive kemi një institucion që na kontrollon çdo vit dhe çdo vit, ne bëjmë deklarimin e pasurisë sonë. Ama, nëse nesër vjen dita që dikush nga ne të shkojë përpara prokurorit apo gjykatësit, nuk diskutohet që ajo dosja e deklarimeve do merret dhe do fillojë avazi. Por me këtë nuk merret policia“, tha Rama.
Një tjetër ligj i rëndësishëm i miratuar në Kuvend ishte dhe Ligji i Pronave që kaloi me 94 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenim, duke përfshirë dhe amendamentet e propozuara nga kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Për ligjin e pronave, Rama tha se do të legalizohen të gjitha shtëpitë në fshat, ndërsa shtoi se do të rishikohet titulli i pronësisë për banesat në zonat urbane.


