Fundosja e Titanikut mund të jetë fatkeqësia më e keqe detare në histori, por mesa duket është harruar ajo që ndodhi me anijen MV Wilhelm Gustloff në vitin 1945 ku 10 mijë njerëz mes tyre fëmijë dhe gra ndërruan jetë, në përpjekje për tu larguar nga ushtria ruse që po përparonte ato kohë lufte.
Anija lundronte nga Gdynia me destinacion për në Kiel të Gjermanisë veriore, por papritur u sulmua nga një nëndetëse ruse në Detin Baltik në janar të vitit 1945. Anija u fundos në më pak se 40 minuta duke u konsideruar në atë kohë si tragjedi me përmasa të pakrahasueshme. Fati i anijes ishte shumë larg nga dizajni që synonte për një anije luksoze, ku gjermanët mburreshin për të. Ndryshe nga Titaniku, atje nuk kishte ndarje të klasave mes të pasurve dhe të varfërve, kështu që njerëzit e zakonshëm mund të gëzonin festat ashtu si të pasurit.
Pavarësisht se numri i të vdekurve është gjashtë herë më i madh se në Titanik, kjo ngjarje nuk mori rëndësinë si kjo e fundit. Deri në janar të vitit 1945, zona e Prusisë u kërcënua nga përparimi i shpejtë rus nga lindja, duke çuar në Operacionin Hannibal, një evakuim masiv detar të trupave dhe civilëve gjermanë atje. Megjithëse anija e gjatë 685 metra mbante rreth 1.000 ushtarë dhe anëtarë të Gestapos, kishte rreth 9.000 civilë brenda. Nëndetësja ruse goditi tre herë në anijen 25,000 ton. Disa nga 9,343 viktimat vdiqën nga shpërthimet, ndërsa të tjerët vdiqën duke u shtyrë, disa duke u shkelur nën rrëmujën dhe panikun e pasagjerëve nën kushtet ekstreme të motit.
Një faktor tjetër në katastrofë ishte mungesa e drejtimit nga katër kapitenët. Ata nuk u pajtuan me planet se si të ruheshin nga sulmet me nëndetëse dhe përfundimisht kapiteni i Gustlofit, Friedrich Petersen, injoroi këshillat ushtarake dhe lundroi në ujëra të thella, pasi mendohej se nuk kishte mina. Pas marrjes së një mesazhi në radio ku u tha se një tjetër anije minatorësh ishte drejt tij, Petersen aktivizoi sinjalin e paralajmërimit për të mos pasur përplasje, por kështu, anija u bë objektiv edhe më i lehtë për armiqtë. Kështu rusët mund të sulmonin pa teklif dhe ashtu ndodhi. Goditja më e madhe ishte tek motorët e anijes.
Temperaturat nën minus nënkuptonin se vetëm nëntë varka shpëtuese mund të uleshin në ujëra. Njëzet minuta pas goditjes anija u nis drejt portit, që të afrohej sa të mundej, por ana e djathtë filloi të fundosej e shkatërrohej. Gustloff mbetet nën rrënojat e Detit Baltik dhe klasifikohet si një varr lufte. Për shkak të interesit, Zyra Polake Detare në Gdynia e ka bërë të paligjshme vëzhgimin nga brenda të asaj që ka mbetur.


