Një ditë pas operacionit ku u zbulua dhe u godit rrjeti i trafikut të mbetjeve toksike dhe lëndës kancerogjene amiant, mëngjesin e sotëm në portin e qytetit bregdetar shkuan për inspektim prefekti Flamur Mamaj, drejtori i doganës, i portit dhe i policisë.
“Unë thjeshtë kam ardhur për të bërë një inspektim dhe verifikim të kushteve të sigurisë të marra nga drejtoria e qarkut dhe kufirit. Përtej asaj që kam parë, çështja është në duart e prokurorisë dhe priten përfundimi i hetimeve për të gjitha problematikat dhe mbi fatin e të arrestuarve për këtë çështje. Deri tani nuk kam asnjë lloj informacioni mbi lëndën, është çështje hetimi, me të përfunduar duhet të ketë edhe një raport që do të konstatojë të gjitha mbetjet se çfarë janë” tha Flamur Mamaj.
Report Tv solli pamjet dhe zbardhi mbrëmjen e djeshme skemën si funksiononte rrjeti i trafikut të mbetjeve kancerogjene, që çoi në pranga 6 persona. Vlonjatët merrnin nga Italia mbetjet, i sillnin në Vlorë përmes tragetit nga Brindisi dhe i groposnin përmes një pike grumbullimi në lagjen “24 Maji”.
Lëndët e rrezikshme dhe kancerogjene vinin të kamufluara si produkte kimike pastrimit, përmes kompanisë “Delfini 1”. Pjesa më e rrezikshme e këtij trafiku, fshihet pas dhjetëra fuçive me mbishkrimin “eni” një kompani italiane e naftës dhe gazit me seli në Romë, e cila për policinë, “kishte mbetje të rrezikshme”, por që nuk dihet ende konkretisht se çfarë lënde është dhe sa të rrezikshme mund të jenë për shëndetin.



