Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka bërë një deklaratë të fortë dhe alarmante, teksa e ka cilësuar koronavirusin rrezikun numër një në botë, madje edhe më të rrezikshëm se terrorizmi, që sipas tij, “mund të bëjë kërdinë”.
Lidhur me këtë, ai u bëri thirrje vendeve të përgjigjen fuqishëm ndaj koronavirusit, duke shtuar se një mosveprim i menjëhershëm do të kishte pasoja shumë të mëdha.
“Për të qenë i sinqertë, një virus është më i fuqishëm në krijimin e trazirave politike, ekonomike dhe sociale sesa çdo sulm terrorist”, citohet të ketë thënë Ghebreyesus gjatë një konference për shtyp të martën.
Koronavirusi i ri, i quajtur zyrtarisht CoVID-19, ka infektuar 42.708 persona në Kinë dhe shkaktoi mbi 1,017 vdekje.
Në nivel global, ka pasur edhe 393 raste shtesë, përfshirë një vdekje, dhe Ghebreyesus thotë se numri jo proporcional i rasteve në Kinë dhe në mbarë botën sinjalizoi se ekziston një “dritare mundësish”, ku një përgjigje e fortë mund të ketë një ndikim të rëndësishëm.
Kështu, Drejtori i Përgjithshëm kërkon nga vendet që ta “godisnin fort” përpara se të kishte një rritje të numrit të rasteve jashtë Kinës, gjë që ai pret të ndodhë më shpejt sesa më vonë.
Me gjithë “masat serioze” të Kinës për të parandaluar virusin në Wuhan, epiqendrën e shpërthimit dhe provincat e tjera, Ghebreyesus parashikoi se statusi aktual i rasteve të kufizuara ndërkombëtare nuk mund të “qëndronte i njëjtë për shumë kohë”.
“Ky është një armik i zakonshëm dhe ne duhet ta luftojmë atë duke përdorur mundësitë dhe ta luftojmë atë”, tha Ghebreyesus. “Ne nuk duhet ta humbim këtë mundësi. Nëse e humbasim, do të pendohemi”.Virusi u identifikua te njerëzit në dhjetor dhe për shumë njerëz, simptomat, përfshirë kollën, ethet dhe gulçimi, ka qenë i butë.
Në raste serioze, veçanërisht ato që përfshijnë njerëz me sëmundje të frymëmarrjes ose sistem imuniteti të kompromentuar, virusi mund të shkaktojë pneumoni dhe të jetë fatal.


