Tre të dyshuar si pjesë të bandave të krimit në Shijak, Vlorë dhe Shkodër rezultojnë urdhëruesit dhe njerëzit që kanë projektuar pengmarrjen, vrasjen dhe më pas zhdukjen e trupit të Jan Prengës, babait të 5 fëmijëve në 17 janar në Kamëz. Altin Hajri nga Shijaku, M.Bajri nga Shkodra dhe D. Rexhepi nga Vlora, dyshohet se janë kokat e këtij krimi të rëndë, ku Jan Prenga, është rrëmbyer për të mos u kthyer kurrë në shtëpi.
Burime nga organi i akuzës thanë për Shqiptarja.com se emrat e tyre dalin në përgjimet e bisedave mes familjarëve të Jan Prengës, djalit të tyre në Angli Astrit Prenga dhe disa prej anëtarëve të grupit Hajri në Shijak. Njëri prej tyre, D.Rexhepi, spikatet në kartotekat e policisë kriminale për vrasje dhe trafik të lëndëve narkotike, dhe i arratisur disa herë nga qelitë e burgut. D.Rexhepi, monitoron dhe kontrollon linja të trafikut të kokainës nga Ekuadori në drejtim të disa vendeve të Bashkimit Europian, ku dyshohet se bashkëpunonme M.Bajrin nga Shkodra dhe Altin Hajrin nga Shijaku.
Grupi kriminal që vepron në disa shtete të Europës, qëllimin kryesor ka pasur mbajtjen peng të Jan Prengës, njërin nga 4 vëllezërit Prenga, ku synimi ishte për t’i bërë presion Astritit, korrierit të tyre në Angli, për të nxjerrë sasinë e drogës prej 283 kg kokainë, që ky i fundit mbante peng dhe nuk e tregonte destinacionin se ku e kishte çuar. Por me sa duket situata, i ka dalë jashtë kontrollit pasi Jan Prenga në rrëmbim e sipër është qëlluar me sende të forta dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme, duke i mbetur trupi i pajetë në dorë të anëtarëve të bandës Hajri në Shijak.
Nga ana tjetër, familjarët e Prengës deri në momentin e ndërhyrjes së policisë në kompleksin “Golden në Shijak”, në pronësi të Astrit Hajrit nga Shijaku, në asnjë moment nuk kanë bashkëpunuar me policinë, pasi vëllai i tij nga Anglia, Astrit Prenga, i kishte këshilluar të mos kishin asnjë kontakt me uniformat blu.
Për pengmarrjen e Jan Prengës dy ditë më parë u vunë në pranga 5 persona, vëllai, babai, kushëriri dhe shoku i Altin Hajrit, ku i fundit në kërkim, të cilët pas rrëmbimit dyshohet që në bashkëpunim me njëri-tjetrin ta kenë çuar Jan Prengën në resortin “Golden” në Xhafzotaj të Shijakut, ku sipas kamerave të sigurisë, dyshohet edhe ta kenë nxjerrë të pajetë. Bashkë me Hajrin në kërkim janë edhe dy kokat e grupit kriminal, Bajri nga SHkodra dhe Rexhepi nga Vlora.


