Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e partisë konservatore Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) dhe ish-kryeministri Zoran Milanoviç i Partisë Social Demokratike (SDP) të dielën garuan në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale.
Rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tregojnë se ish kryeministri Milanoviç kryeson ndaj presidentes Grabar-Kitaroviç. Pas numërimit të 54 për qind të votave, Zoran Milanoviç kryeson me 54 për qind të votave ndaj presidentes Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila mori 46 për qind të votave.
Në raundin e parë të zgjedhjeve dy javë më parë, Milanoviç fitoi ndaj 11 kandidatëve të tjerë, duke marrë 29.6 për qind të votave. Ai doli para presidentes në detyrë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, cila mori 26.7 për qind të votave.
Roli i presidentit është kryesisht ceremonial në Kroaci. Presidenti nuk mund t’i vë veton ligjeve, por është komandant i ushtrisë dhe përfaqëson vendin në arenën ndërkombëtare.
Kroacia, e cila mori presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian më 1 janar 2020, do të mbajë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vjeshtë.
Milanoviç, i cili ishte kryeministër i vendit nga vitin 2011 deri në vitin 2015, zhvilloi fushatën e tij zgjedhore me premtimin se ai do të luftonte korrupsionin që ai thotë se ishte intensifikuar që kur ai humbi pushtetin dhe konservatorët morën drejtimin e vendit. /VOA



