Ish deputeti Ervin Salianji ka reaguar fill pas zbardhjes së vendimit ku u dënua për inskenimin e çështjes “Babale”.
Ai duket se ka nxjerrë një version të ri ku mohon të ketë njohje apo kontakte edhe me gazetarin Jetmir Olldashi.
Ish ligjvënësi nuk e pranon dënimin e tij duke e quajtur si politik.
“Njësoj si dënimet për agjitacion dhe propogandë, gjyqtari i partisë thotë që është dëmtuar reputacioni publik i një krimineli të dënuar dhe që sot po kryen dënimin në Itali apo dëmtimi i reputacionit politik të ish-ministrit të brendshndërkohë që menjëherë pas denoncimit, Agron Xhafaj, shkoi për të vuajtur dënimin. Vendimi i djeshëm nuk ka asnjë provë, asnjë fakt dhe asnjë linjë logjike se si ka bashkëpunim mes personave që nuk njihen.
Gjyqtari e pranon në vendim që ne nuk kemi njohje të mëparshme, pranon dhe që mes meje apo dhe gazetarit Olldashi, nuk ka komunikime dhe asnjë kontakt dhe asnjë njohje me dëshmitarin e sajuar Alizoti.
Arsyetimi i vendimit dhe dalja e tij pa ju njoftuar palëve dhe pa u hedhur ne sistem e bën të dyshimtë se si dhe kur është bërë zbardhja e vendimit, vendimi në pjesën hyrëse (22 flete) ka krejtësisht copy/paste konkluzionet përfundimtare të prokurorisë, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër është vetëm përsëritje.
Për aq kohë sa procedura gjyqësore u bë me gjykim themeli dhe jo me gjykim të shkurtuar, gjykata duhet të kishte rrjedhën e saj të ngjarjeve e jo atë të prokurorisë.
Ne vendim nuk citohen në pjesën hyrëse të tij argumentet e mbrojtjes, apo dhe kur bëhet analiza nga gjykata e elementeve te figurës së veprës penale, serish nuk citohen pretendimet e mbrojtjes.
Një vendim i strukturuar në këtë mënyrë, nuk jep mundësinë e analizimit të tij sipas procesit gjyqësor, por vetëm sipas këndvështrimit të akuzës që është përthithur edhe si këndvështrim i gjykatës.
Në vendim nuk citohet asnjë kërkesë e bërë nga mbrojtja dhe e rrëzuar me vendim të ndërmjetëm nga gjykata, ku të arsyetohet edhe shkaku i rrëzimit; Një nga faktet e falsifikuara në vendimin e gjykatës është mos dorëzimi i materialit origjinal.” tha Salianji.
Ish ligjvënësi u dënua nga Gjykata me 1 vit burg me akuzën e kallëzimit të rremë, të kryer në bashkëpunim, me sajimin e një audio-përgjimi të rremë me qëllim përfshirjen e vëllait të Xhafajt në trafikun e lëndëve narkotike.
Në vendimin e Gjykatës vërtetohet se Salianji është përfshirë në kallëzimin e rremë për interesa politike të tij dhe të partisë ku ai bën pjesë, Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Ndërkohë, Gjykata Penale del me përfundimin se Alber Veliu i njohur si Babalja dhe që u dënua me 3 vite e 8 muaj burg, u akomodua në Selinë e Partisë Demokratike dhe më pas ka dhënë edhe intervistën e instruktuar nga funksionarë të “selisë blu”.
Ndër të tjera Gjykata shprehet se Veliu, Alizoti, Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi kanë pasur komunikime të shpeshta para dhe pas veprës penale që kanë kryer. Sipas Gjykatës komunikimet e shpeshta që kanë bërë mes tyre nuk kanë asnjë shpjegim tjetër veçse përfshirjen në audiopërgjime.
Ndërkohë sipas argumentimit të audiopërgjimit, Gjykata shprehet se ka patur një numër të lartë bisedash mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit dhe këto biseda janë kompromentuese.
Skema e ngritur për llogari politike të Partisë Demokratike kishte si qëllim goditjen e ish kreut të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj dhe përmes tij të gjithë meganizmin e ngritur për reformimin e drejtësisë dhe ngritjen e organeve të reja.


