Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shfrytëzoi një takim për të nderuar drejtues të policisë, efektivë të forcave speciale dhe zjarrfikës për të treguar një mesazh, që e kanë lënë thuajse pa fjalë i një efektivi të Reneas, të cilin e identifikoi vetëm me emrin Shkëlzen.
“Jam munduar gjithmonë që familjes dhe fëmijëve të mi t’ju mësoj si ta mposhtin frikën, por kisha harruar të mësoj veten se si të mos kem frikë për ta, në momente të vështira”, shkruante ato ditë Shkëlzeni, një anëtar i RENEA-s, teksa djali i tij i vogël, i frikësuar e kërkonte ta kishte të atin në shtëpi. Me pak fjalë, Shkëlzeni ka përshkruar në trajtë dramatike dilemën heroike me të cilën janë përballur të gjithë ata që në ato minuta të rënda u kthyen shpinën familjeve të tyre- tha Lleshaj, duke zbuluar atë çfarë ndodhi në orët e para të 26 nëntorit në Durrës, Thumanë e zona të tjera.
“Besoj se për secilin prej nesh, orët e para të 26 nëntorit të këtij viti kanë zënë një vend në kujtesë, prej nga vështirë se mund të largohen më. Vetëm pak minuta pas tërmetit, jam takuar në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të PSH me Drejtorin Ardi Veliu dhe pas dhënies së disa detyrave të para jemi nisur për në Durrës, duke ditur vetëm një gjë: epiqendra e tërmetit ishte diku afër këtij qyteti” – deklaroi Lleshaj.
Ai shtoi se ndalesën e parë e pati tek Shtëpia e Pushimit të Ministrisë së Brendshme ku dhe preku tragjedinë e vërtetë. Një grup i madh studentësh ishin mbledhur në terrin e thellë afër godinës kryesore e cila nuk ishte më. Mungonte aty edhe pedagogu i tyre Bajram Hajdarmataj.
“Më pas filluan të shtohen informacionet. Agimi i ditës së re zbuloi pjesën më të rëndë të tragjedisë. Disa godina të larta ishin shembur, duke zënë jetë njerëzore në rrënoja. Pak minuta më vonë, u gjet edhe viktima e parë tek një pallat i rrëzuar në Lagjen 18 të Durrësit, ndërkohë që në rrënoja kishte të gjallë e të vdekur. Kishte filluar një betejë e vërtetë me kohën” – pohoi Lleshaj.
Në një kohë kur shumica absolute e njerëzve nxitonin të lidheshin me të afërmit e tyre, të rendnin drejt tyre, apo drejt një vendi të sigurtë, sa më larg zonave të goditura, për të siguruar veten dhe më të dashurit e tyre, një tjetër grup bënin ekzaktësisht të kundërtën: turreshin drejt epiqendrës së goditjes, aty ku dëmet dhe rreziku ishin në kulmin e tyre, pa pasur kohë as të mendonin për njerëzit e tyre e jo më të rendnin tek ta për ndihmë.
“Unë nuk besoj se ekziston një përkufizim i qartë për heroin, por nëse do të më duhej të bëja një propozim do të ishte pikërisht ky: Hero është ai ose ajo që në rastin kur është më shumë se kurrë i nevojshëm për të qenë pranë familjes së tij, nxiton për të ndihmuar fëmijët dhe familjet e të tjerëve” – tha më tej Lleshaj.
Modernizimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit, me theks forcat operacionale, të cilat përherë duhet të jenë në radhën e parë të reagimit ndaj emergjencave, si dhe krijimi i kapaciteteve speciale dhe elitare në strukturat e Shërbimit Zjarrfikës janë dy prioritete madhore që do të ndiqen nga Ministria e Brendshme në të ardhmen e afërt – ishte premti i Lleshajt për ata që morën dekoratën me Medalje Trimërie.


