Përgjithësisht në qarkun e Lezhës ka pasur dëme të theksuara nga tërmeti i 26 nëntorit, sidomos në zonën e bashkisë së Kurbinit.
I deleguari nga Komiteti Ndërministror për Emergjencat Civile në qarkun e Lezhës, Etjen Xhafaj në një intervistë për Agjencinë telegrafike Shqiptare u shpreh se “kryesisht qyteti i Laçit ka pasur dëme, ku 54 pallate, nga 162 që është totali i pallateve që ka, paraqesin ose dëmtime të rënda strukturore, ose do të duhet të shemben eventualisht sepse janë të pabanueshme nga banorët”.
Xhafaj theksoi se “kemi gjithashtu dëme të shtrira sa i përket pjesës së shtëpive. Deri tani janë vlerësuar 969 shtëpi, të cilat janë të pabanueshme aktualisht. Banorët në pjesën më të madhe janë pajisur me çadra”.
Gjithashtu, shtoi Xhafaj, “kemi një numër shumë të lartë apartamentesh, ku megjithëse nuk ka pasur dëme strukturore, ka pasur dëmtime në pjesën e brendshme tek muret apo problematika të tjera të këtij lloji të cilat jemi duke i adresuar aktualisht”.
Xhafaj u shpreh se, “kemi sot 18 grupe vlerësimi në terren nga të cilat janë 9 në bashkinë Lezhë, 8 në Kurbin dhe 1 në Mirditë, të cilat janë duke vlerësuar edhe gjendjen e shtëpive në mënyrë që të kemi një bilanc të plotë dhe të kemi një hartë të qartë të dëmtimeve dhe dëmeve që janë shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit”.
Sa u përket akomodimit të përkohshëm të qytetarëve, Xhafaj nënvizoi se, “deri në këto momente kemi shpërndarë 255 çadra në të gjithë qarkun në të cilat ndodhen 1015 persona. Kemi 1169 persona të cilët janë strehuar në tre hotele, Ermiri, Rafaelo dhe Frojdi në Shëngjin. Kemi 39 persona të cilët janë në palestër në Lezhë dhe për të cilët po mundësohet një sistemim nëpërmjet bonusit të qirave për t’i lëvizur në apartamente të tjera. Kemi edhe në Mirditë 33 persona, të cilët duke qenë se e kanë godinën e tyre të pabanueshme, janë strehuar pranë konvikteve dhe po shikohet që sa më shpejt të gjejmë mënyrën për t’i sistemuar edhe ata”.
Sa i përket spitalit të Laçit, Xhafaj tha se, “absolutisht do të duhet të rindërtohet. Godina ka dëme strukturore, rrjedhimisht ne i kemi lëvizur të gjithë shërbimet e spitalit të Laçit në drejtim të spitalit të qytetit të Lezhës dhe kemi dyfishuar shërbimin ambulator në mënyrë që të ketë një kontakt të vazhdueshëm mes spitalit dhe qytetit dhe kemi lëvizur në një lokacion tjetër urgjencën, në mënyrë që urgjenca të qëndrojë aty dhe të jetë në gjendje t’ju shërbejë qytetarëve në kohë reale në momentin që ato kanë nevojë me të gjitha pajisjet dhe të gjitha medikamentet e nevojshme sipas rasteve”.
Sa i përket situatës së arsimit dhe shkollave të përkohshme, Xhafaj tha se, “që nga dita e hënë kur ka filluar shkolla edhe në bashkinë Kurbin janë 6 shkolla që janë të papërdorshme dhe ajo që kemi bërë është që kemi lëvizur tek shkollat e tjera me dy turne. Ata janë më shumë se 160 nxënës, të cilët janë të strehuar në hotele dhe po transportohen në drejtim të shkollës. Tek ato shkolla që janë të përdorshme dhe që janë kontrolluar në vazhdimësi nga grupet e vlerësimit, kemi kaluar në regjim me dy turne në mënyrë që të kemi mundësi që të mos mungojë shërbimi arsimor për nxënësit”.


