Kryqi Kuq i Malit të Zi është duke mbledhur ndihma për të prekurit në Shqipëri. Në llogarinë bankare të çelur për këtë qëllim, janë grumbulluar deri tani 42.522 euro, thotë VOA.
“Fondet e mbledhura do t’i dorëzohen Kryqit të Kuq të Shqipërisë, i cili ishte aktiv në ofrimin e ndihmës së parë, në mbështetjen sociale dhe në shpërndarjen e ndihmës emergjente për popullatën në zonat që pësuan tërmetin”, thekson Kryqi i Kuq i Malit të Zi, që është në kontakt të vazhdueshëm me Kryqin e Kuq të Shqipërisë, duke ofruar ndihma për ta zbutur sadopak gjendjen pas fatkeqësisë natyrore.
“Hapja e llogarisë bankare ishte mënyra më e mirë për të ndihmuar këtë situatë, pasi burimet financiare do të jenë më të nevojshme për rehabilitimin afatgjatë të efekteve të tërmetit”, thuhet në njoftimin e tij.
Sakaq, edhe komuniteti shqiptar në Ulqin, Krajë, Malësi dhe në Plavë e Guci është angazhuar për mbledhjen e ndihmave materiale dhe fondeve financiare në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti.
Me moton “Ndihma jonë e vogël, ka vlerë të jashtëzakonshme” janë hapur disa pika grumbullimi ndihmash, thekson VOA. Në dhënien e ndihmave janë përfshirë edhe fëmijët e shkollave shqipe në Malin e Zi. Tërmeti që goditi Shqipërinë përveç se shkaktoi 51 të vdekur dhe dëme të konsiderueshme materiale.


