Nëse fëmijët besojnë apo jo tek babagjyshi është nje çështje me një rëndësi të çuditshme për prindërit, dhe shpesh me më shumë rëndësi për ta sesa për vetë fëmijët. Ne duam që fëmijët tanë të besojnë tek babagjyshi por pyetja është pse?
Nëse mendoni se besimi i këtij miti nga ana e fëmijëve i bën ata të sillen më mirë atëherë na duhet t’ju themi se nuk është e vertetë. Disa psikologë dyshojnë se investimi i prindërve në mitin e babagjyshit mund të jetë për shkak të kujtimeve të tyre të fëmijërisë.
Prindërit nuk e shikojnë babagjyshin si një “gënjeshtër” që u tregojnë fëmijëve të tyre, por e shikojnë atë si pjesë e fantazive fëmijënore. Kryss Shane, një psikologe familjare thotë që: “Kujtimet nga fëmijëria e tyre i inkurajojnë prindërit të punojnë për ta bërë sezonin e festave po aq magjik sa ata e kujtojnë nga fëmijëria”.
Fëmijët përgjithësisht ndalojnë së besuari tek babagjyshi në moshën 8 vjeçare sipas studimeve të mëparshme. Ndërkohë që disa ekspertë argumentojnë se të gënjesh për babagjyshin mund të shkaktojë mosbesim tek fëmijët. Studimet tregojnë se kur fëmijët ndalojnë së besuari tek babagjyshi nuk janë aq të mërzitur sa prindërit e tyre të cilët mërziten për faktin se fëmija zbuloi të vërtetën. Madje ka dhe prova që tregojnë se edhe pasi reshtin së besuari tek babagjyshi ata shpesh vazhdojnë të shtiren sikur besojnë vetëm për të mos i zhgënjyer prindërit.
Pra do të thotë se babagjyshi qëndron si një problem në shumë familje me fëmijë më të mëdhenj. Kryss Shane sygjeron të bëhet një zbutje e këtij problemi për të dyja palët duke e identifikuar figurën e babagjyshit si pjesë e fantazisë së shpirtit të festave në mënyrë që fëmijët por edhe prindërit të mos ndihen të zhgënjyer kur fëmijët të mësojnë të vërtetën.


