Ditën e sotme, Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar se do të dorëzojë një padi penale kundër kreut të KED-së, Ardian Dvorani për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore. Mëngjesin e sotëm para fillimit të konferencës ‘Feja si instrument për paqen’ kreu i shtetit u pyet edhe njëherë mbi këtë cështje, por nuk pranoi që të komentonte duke u shmangur “Sot kemi sjellë udhëheqësit e botës për të sjellë paqen në vend“.
Ilir Meta e akuzon kreun e KED-së Ardian Dvorani se ka shpërdoruar detyrën pasi në datë 22 shtator botoi në Fletoren Zyrtare listat e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Metës kjo është shkelje, pasi ligji përcakton se lista botohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë dhe jo në Fletoren Zyrtare. Por kjo sipas Presidentit ishte bërë me qëllim që Arta Vorpsi të vetëzgjidhej sipas mekanizmit zhbllokues, pasi kreu i shtetit nuk e ushtroi të drejtën e tij. Por edhe mekanizmi zhbllokues thotë më tej Meta, nuk është zbatuar sikur e parashikon ligji.


