Sekretari për Marrëdhëniet me Mediat në PS, Alfred Peza, me anë të një deklarate për mediat sqaron votimet e mbajtura në Partinë Socialiste për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit të partisë socialiste.
Peza shprehet se sot ishte një ditë e rëndësishme për sistemin demokratik në vend. Ai shton se sot u testua për herë të parë votimi elektronik dhe ai online.
“Sot ishte një ditë e rëndësishme për sistemin demokratik në vend. U testua për herë ta parë votimi elektronik dhe ai online. Nëse ka anëtarë që nuk kanë votuar ende, do të ketë mundësinë që të votojnë edhe pas orarit zyrtar derisa më i fundit që ndodhet ne këto momente në radhe në çdo qender votimit, të ushtrojë te drejtën e tij”, tha Peza.
“Dua të them që gjatë këtij procesi nuk ka pasur asnjë problem nga ora 08:00 që ka filluar.”
Alfred Peza theksoi se 47 për qind e kandidatëve për delegatë janë gra e vajza, çka shënon tjetër arritje të PS në drejtim të zgjedhjes së delegatëve nga të dyja gjinitë.
Fjala e plotë:
Kjo e shtunë e 16 nëntorit 2019, ishte një ditë e veçantë për të gjithë socialistët shqiptarë. Në të gjithë vendin, po zgjedhim sipas parimit “një anëtar një votë”, 706 delegatët për në Kongresin e PS të shkurtit 2020. 103. 056 anëtarët e Partisë Socialiste, të cilët morën pjesë në një nga ushtrimet më të rëndësishme jo vetëm për demokracinë tonë të brendshme, por edhe për të gjithë sistemin politik shqiptar.
Në përfundim të këtij procesi, kam kënaqësinë të njoftoj se në të 363 vendvotimet e ngritura në të gjitha bashkitë e vendit, nuk janë njoftuar parregullsi, duke dëshmuar arritjen e një cilësie dhe standardi të lartë të këtyre zgjedhjeve. Jemi informuar se në shumë qendra votimi në disa qarqe të vendit, ka një numër të madh anëtarësh të PS në radhë për të votuar. Sipas udhëzimeve të dhëna edhe më parë nga Komisioni i Zgjedhjeve në parti, por nisur edhe nga praktika e proceseve të deristome elektorale në Shqipëri, votimi do të vijojë derisa të ketë ushtruar të drejtën e tij demokratike edhe më i fundit që ndodhet në radhë për të votuar. Përfitoj nga ky moment për ti bërë thirrje të gjithë drejtuesve të Komisioneve Zgjedhore të Partisë dhe vend votimeve, që procesi të vijojë edhe pas orës 16.00. Dua të veçoj gjatë ditës së sotme dy risitë që shënoi ky proces zgjedhor.
Me testimin për herë të parë të votimit elektoronik në Njësinë Nr. 8 të Tiranës nga 989 anëtarë dhe 100 anëtarë të tjerë që votuan onlinë, Partia Socialiste tregoi se nuk është vetëm partia më e madhe dhe më e organizuar, por edhe partia më moderne në Shqipëri. Barazia gjinore mori tjetër inkurajim në këtë process, pasi 47% e kandidatëve për delegatë të Kongresit të PS, ishin gra edhe vajza.
Në orët në vijim, do të vijojmë që tu informojmë rreth përfundimit zyrtar të të gjithë procesit të sotëm nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Balla që do të bëjë publike të gjitha rezultatet dhe detajet e tjera të këtij procesi. Faleminderit.


