Policia e Kosovës, nën mbështetjen dhe përkrahjen e UNDP-së ka shkatërruar një sasi të armëve të shkurta dhe të gjata, të cilat janë konfiskuar gjatë realizimit të detyrave dhe hetimeve policore
Policia bën të ditur se të gjitha armët dhe municioni i akumuluar iu përkasin llojeve të ndryshme, ndërsa shkatërrimi i tyre është bërë me urdhëresë të organeve të drejtësisë, pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat e parashikuara ligjore.
“Në krahasim me metodat e tjera në dispozicion, të tilla si shitje ose dhuratë, shkatërrimi siguron se armët nuk do të gjejnë rrugën e tyre përsëri në tregun e paligjshëm dhe në këtë mënyrë mund të ndërtohet besim në përpjekjet e përgjithshme për të parandaluar, luftuar dhe çrrënjosur tregtinë e tyre të paligjshme”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se shkatërrimi i këtyre armëve mund të llogaritet edhe si një aktivitet shtesë i realizuar në kuadër të Strategjisë të Kosovës për Kontrollin e Armëve për Zvogëlimin e Rrezikut nga Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët.





