Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal që falsifikonte kryesisht letra greke dhe italiane me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të shqiptarëve për në vendet e BE-së, përfshirë Anglinë, apo tranzit jashtë unionit në SHBA dhe Kanada kundrejt fitimit. “Dokumentet prodhoheshin për persona që e kanë të ndaluar udhëtimin në vendet e zonës Schengen dhe për persona të ndryshëm të cilët do t’i përdornin këto dokumente për vendet e BE-së për të emigruar në mënyrë të paligjshme apo tranzit për të shkuar jashtë Bashkimit Europian” thekson policia. Tre pjesëtarë të grupit kriminal të dënuar më parë janë arrestuar, ndërsa është sekuestruar edhe laboratori i falsifikimit në Durrës pas një pune intensive 6-mujore.
Të arrestuarit janë;
Th. T., 61 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve.
V. S., 63 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, i dënuar dy herë më parë për falsifikim dokumentesh
P. B., 65 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë.
U sekuestruan;
• Një laborator i cili shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, një automjet tip Opel Corsa, një kompjuter,
• 7 stampa, vula, morseta të institucioneve të huaja të ndryshme, një printer skaner që shërbente për prodhimin e dokumentave të falsifikuara,
• një pajisje speciale për plastifikimin dhe prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; një llambë speciale me rreze ultravioletë,
• hekur special për plastifikim, 4 pajisje speciale për hapjen dhe ndërhyrjen në dokumentet origjinale,
• 12 karta greke të falsifikuara, 6 leje drejtimi italiane, 1 leje qëndrimi italiane, 12 karta identiteti italiane, 3 karta shëndeti italiane, 1 leje drejtimi angleze, 3 fletë hyrje për institucione të ndryshme,
• 1057 karta të paplotësuara me çip dhe elementë sigurie për patentë dhe dokumente të ndryshme të paplotësuara,
• dëftesa shkollore, dokumente institucionesh, fotografi, vulë e thatë e një zyre noteriale dhe 1 250 euro.


