Qyteti i Vlorës ka pjesë të tij një nga ishujtë më të bukur të Shqipërisë, Zvërnecin, i cili gjendet pak kilometra larg qytetit dhe në veri-perëndim të tij.
Në hyrje të ishullit ajo që pasqyrohet në sytë çdo njeri është ura prej druri që kalon mes përmes ujit dhe të çon drejt manastirit. Ndërsa në anën tjetër të ishullit ndodhet “Kisha e Shën Triadës”. Aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon laguna e Nartës, krijohet peizazhi i ëndrrave plot mrekulli, imazhi i ishullit të Zvërnecit.
Manastiri i Shën Mërisë është një ndërtim tipik bizantin i shek të X-të pas Krishtit. Vizitohet nga shumë turistë, sidomos në 15 gusht, dita në të cilën festohet përkujtimi i Shën Mërisë.
Zvërneci gëzon ndërthurjen e pakrahasueshme të turizmit natyror me atë detar dhe kulturor, ku së bashku me historinë krijojnë një botë magjike.





