Reforma e menaxhimit të financave publike synon një ekonomi të fortë dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët
Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi sot strategjinë e rishikuar të menaxhimit të financave publike 2019-2022.
Puna disa mujore për rishikimin e strategjisë, e cila sot vjen me një strukturë të re, ka nisur me procesin e vlerësimit afatmesëm të strategjisë së menaxhimit të financave publike 2014-2020, për të vlerësuar ecurinë e reformës gjatë periudhës qershor 2015- 2018. Ajo siguron një qasje të harmonizuar të kuadrit strategjik dhe mundëson monitorimin bazuar në tregues të matshëm, në bazë të arritjeve të rezultateve.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Denaj, shprehu bindjen se strategjia qëndron në themel të një reforme po aq të rëndësishme për Shqipërinë, siç është ajo e drejtësisë.
“Është një reformë për një ekonomi më të fortë dhe shërbime të përmirësuara për qytetarët. Ajo rrit përgjegjshmërinë, transparencën, efiçencën dhe disiplinën fiskale në planifikimin dhe shpenzimin e fondeve publike. Kjo strategji synon të vendosë standarde të reja që kontribuojnë në një proces sa më transparent të planifikimit dhe të shpenzimit të fondeve publike”, u shpreh Denaj.
Përmes kësaj strategjie, qeveria shqiptare dhe ministria e Financave dhe Ekonomisë mundëson buxhetimin gjinor, si një përpjekje konkrete për të rritur mundësitë e barabarta mes burrave dhe grave në zhvillimin e vendit dhe transformimin shoqëror; i mundëson pushtetit vendor ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe në mënyrë më transparente; u mundëson qytetarëve të thonë fjalën e tyre për planifikimin dhe shpenzimin e parave publike.
Ministrja theksoi gjatë fjalës së saj se strategjia do të jetë një udhërrëfyes për reduktimin e borxhit publik, shlyerjen dhe parandalimin e detyrimeve të prapambetura, mobilizimin e vazhdueshëm për mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore, sigurimin e një lidhjeje më të mirë të planeve strategjikë me programin e buxhetit afatmesëm, një angazhim më të strukturuar dhe në kohë me qytetarët, me organizatat e shoqërisë civile dhe me akademinë në planifikimin, monitorimin dhe raportimin e buxhetit, rritje e përpjekjeve për të përmirësuar shkallën e zbatimit të rekomandimeve dhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.


