Kryetari i Parlamentit Europian, Davide Sassoli, i është rikthyer edhe një herë vendimit që morën vendet anëtare të Bashkimit Europian për të mos çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ne jemi në favor. Ishte një gabim që nuk u hapën negociatat e anëtarësimit. Unioni e kishte premtuar atë në këmbim të reformave që janë bërë. Për më tepër, integrimi i Ballkanit Perëndimor mund ta bëjë zonën europiane më të sigurt”, tha David Sassoli, në një intervistë për gazetën italiane “Il quotidiano”.
Më tej, duke u ndalur më veçanërisht për çështjen e shqiptarëve dhe problemin e azilit që nga Franca u ngrit si pengesa kryesore, Sassoli tha se kjo temë është e shkuar tashmë. Duke u nisur nga shembulli italian, Sassoli tha se ata shqiptarë që kanë emigruar në Itali, në vitet e fundit janë rikthyer në Shqipëri.
“Shqiptarët që ndodhen në Itali po kthehen në vendin e tyre, ky problem është kapërcyer me kohë”, u shpreh kreu i PE-së, David Sassoli. Kreu i PE, zhgënjimin e tij për moshapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e shprehu në një deklaratë për shtyp, ku vuri theksin se të dyja vendet nuk e merituan një trajtim të tillë nga Këshilli Europian. “Të dyja vendet dhe qytetarët e tyre kanë bërë përpjekje të mëdha për të përmbushur kërkesat për fillimin e negociatave. Kjo është arsyeja pse unë shpreha mbështetjen time të patundur për hapjen e menjëhershme të bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në një letër të përbashkët me Presidentin e Këshillit, Donald Tusk, Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, dhe Presidentin e zgjedhur të Komisionit, Ursula von der Leyen. Kur u bëjmë thirrje vendeve fqinje të bëjnë një përpjekje shtesë për të ndryshuar dhe ata e bëjnë këtë, është detyra jonë t’i përmbahemi fjalës sonë. Do të jetë e vështirë t’u shpjegohet njerëzve të atyre vendeve pse ne po vonojmë hapin tjetër, përkundër zotimit që është bërë”, deklaroi David Sassoli, menjëherë pasi vendimit të Këshillit Europian në datë 18 tetor.
Ky qëndrim i kreut të Parlamentit Europian është në linjë edhe me deklarimet e drejtuesve të tjerë të Bashkimit Europian, të cilët shprehën zhgënjimin e tyre për këtë vendimmarrje të vendeve anëtare.



