Kryeministri Edi Rama është nisur ditën e sotme drejt Brukselit.
Vizita e tij në Bruksel, vjen një ditë para mbledhjes së kryetarëve të shteteve të BE-së, ku do të vendosin nëse do të hapin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Para nisjes për në Bruksel, Shqiptarja.com mëson se Kryeministri Edi Rama ka pasur një takim me ambasadorin gjerman.
Një ditë më parë, Ministrat e Jashtëm të BE-së, të mbledhur në Luksemburg u dorëzuan për të gjetur një marrëveshje për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke ja kaluar këtë vendim Këshillit Evropian.
Gjatë mbledhjes së Ministrave të Jashtëm në Bruksel, tre vende ishin që hapja e negociatave të vinte në një moment të dytë, pasi Shqipëria dhe Maqedoni nuk ishin gati.
Me e ashpër ishte Franca, duke kërkuar më parë që Bashkimi Europian të reformohej brenda vetës, e më pas të niste procesin e zgjerimit me vende të tjera.
Ndërsa, në një komunikim në Facebook ditën e djeshme, Kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat që BE-ja i kishte lënë, duke shtuar se më shumë hezitimi për një “PO” lidhet me problemet e brendshme që ka unioni.