Florenc Beqiraj, i riu shkodran i masakruar në një burg të Marsejës, është ndarë nga jeta pasi luftoi për disa ditë me vdekjen në shtratin e spitalit.
23-vjeçari mbahej gjallë vetëm përmes aparaturave.
Beqiraj ishte në Francë prej dy vitesh e po përpiqej të përfitonte azilin. Ai është ndaluar nga policia dhe për mungesë dokumentacioni përfundoi në burg. Pikërisht gjatë qëndrimit prapa hekurave ka ndodhur dhe incidenti që e çoi 23-vjeçarin në fund të jetës.
Ai u gjet i masakruar, me njolla në trup dhe një shenjë teli në fyt, duke përfunduar në gjendje të rëndë. Zërat që thonë se i riu ka tentuar vetëvrasjen nuk pranohen nga familja.
Të tjerë mendojnë se Florenci është masakruar në burg, ose nga policia, ose nga të dënuarit e tjerë.
E motra e tij që jeton prej disa vitesh në Mal të Zi, tha se i vëllai e ka marrë në telefon për t’i thënë se është ndaluar për shkak të mungesës së dokumentave dhe se në burg rrethohej nga njerëz të rrezikshëm.
Sipas të motrës, askush nuk i ka dhënë sqarime për ngjarjen, ndërsa zyrtarisht nga Ambasada Shqiptare i është thënë se i riu është vetëvarur me litar.
***
PO KUSH ISHTE FLORENC BEQIRAJ?
Florenci kishte shkuar para një viti në Francë duke kërkuar azil, por tre javë më parë ishte kapur nga policia, pasi nuk kishte dokumente. Kushërira thotë se para disa ditësh, Florenci kishte telefonuar atë dhe një tjetër shok të tij, duke iu thënë se kishte probleme me personat me të cilët ndante qelinë, si dhe kishte shprehur frikë se mos e vrisnin.
23-vjeçari pas dy ditësh do të kthehej në Shqipëri, ndaj nuk kishte pse të vetëvritej, pretendim ky i ngritur nga policia e Francës. Në foto i riu shfaqet në gjendje kome në spital. Kushërira e tij thotë se mjekët duan t’i shkëpusin aparaturat me pretendimin se 23-vjeçari ka vdekur.
“Jam kushërira e këtij djalit. Ai është djali i hallës sime. Kërkojmë të drejtën, pasi atë kanë tentuar ta vrasin. Ai është vetëm 23 vjeç, dhe erdhi në Francë për azil. Brenda në burg kanë tentuar ta vrasin. Duket nga shenjat. Ka të gërvishtura në krah, dhe shenjën e litarit në fyt. Kjo i ka ndodhur pas arrestimit nga policia, pasi e kapën pa dokumente. Ai do të kthehej për dy ditë në Shqipëri, nuk kishte pse të vetëvritej”, tha kushërira e 23-vjeçarit.










