Bibliotekat e kryeqytetit gjatë këtyre ditëve në kuadër dhe të muajit të leximit janë kthyer në vendtakime interesante mes librit dhe brezit të ri.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti vizitoi sot bibliotekën “Hamit Beqaj” dhe iu bashkua të vegjëlve duke i lexuar pjesë nga librat e tyre të preferuar dhe gjithashtu dhuroi dhe libra për këtë bibliotekë.
“Dita merr një tjetër kuptim, kur e nis me një energji të tillë! Tetori i Librit na çoi sot në Bibliotekën “Hamit Beqaj”, ku drejtorja Anisa Ymeri ka bërë një punë të shkëlqyer, për ta kthyer atë në një pikë takimesh të përhershme”, tha ministrja Margariti.
“Pata kënaqësinë t’u lexoja më të vegjëlve, atyre që do të jenë lexuesit e nesërm. Po ashtu dhuruam libra për bibliotekën, duke i bërë pronë e të gjithëve. Është muaji i leximit”, u shpreh ministrja e Kulturës.
Nën moton “Lexo shqip!”, ministria e Kulturës ka nisur fushatën për lexim, të quajtur “Dhuro, gjej, lexo”, që synon të nxisë drejt leximit, brezin e ri.
Është një ide e thjeshtë dhe sfiduese, që konsiston nëj lënien e një libri të dashur në një ambient publik, në stol, urban, stacion, kafene etj., në të cilin shkruani një shënim për këdo që e gjen.
Kjo nismë do zhvillohet përmes një sfide në rrjetet sociale, ku secili që lë librin e tij të preferuar diku, bën një foto ose video dhe e poston në faqen e tij.