Muaji shtator shënoi vizitueshmëri në rritje në muzetë e Qendrës Kombëtare të Muzeve Berat. Në këtë muaj numri i vizitoreve arriti në 10881 nga të cilët 10 009 ishin të huaj.
Në periudhën janar-shtator 2019 muzetë e Qendrës Kombëtare të Muzeve Berat kanë pasur 54835 vizitorë, 6 130 vizitorë me shumë se e njëjta periudhë e virit 2018.
Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri në periudhën janar-shtator ka pasur 46252 dhe Muzeu Kombëtar Etnografik 8583.
Muzetë e Beratit vazhdojnë të zgjojnë interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj me vlerat e koleksioneve të tyre, por edhe me mënyrën e veçantë të organizimit.
Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.
Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.