Ashtu siç u lajmërua ditën e djeshme, ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana ka dalë sot në një konferencë për shtyp në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku ka marrë detyrën e re si Ambasador i Grassroots-it.
Cana dhe Duka
“Kur jam prezent në ambientet e Federatën, ndihem mirë, pasi ndihemi si një trup i vetëm, duke punuar për ngritjen e cilësisë. Gjithsecili mundohet të japë vlerat profesionale. Unë e ndiej detyrë të kontribuoj në futbollin e vendit tonë. Kur them tonë nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën.
Ne si shoqëri kemi përfituar shumë nga sporti. Vitet e fundit është demostruar nëse ne punojmë, mund të jemi të suksesshëm. Ne jemi një vend në zhvillim dhe futbolli ndihmon në këtë pjesë. Unë mendoj që për të pasur një pjesëmarrje të madhe nuk vjen brenda një dite. Ne në vendin tonë nuk e di a kemi pasur më parë, por unë do vazhdoj të jap stimuj, të nxit njerëzit të merren me futboll.
Është një program për të marrë pjesë në futboll. Unë tani bëj pjesë te veteranët dhe kam vendosur të vazhdoj me projektet e Federatës, për të bindur dhe nxitur të gjithë për ti mbajtur me frymën e sportit, për ti shumë vlera futbollit. Nuk do jetë një detyre e përditshme, por kërkon një punë të madhe. Me padurim pres ta filloj këtë punë. Rezultatet i presim pas disa vitesh.
Në vendin tonë është e vështirë të vendosësh baza për trajnimin e fëmijëve. Ka shumë probleme, siç është infrastruktura, por jemi duke ecur përpara. Duhen njerëz që të kenë ide dhe projekte. Pse mos e bëjmë dhe ne investimin që ka bërë Goran Pandev në Maqedoni. Duke parë marrëdhënien me presidentin, çdo lloj bashkëpunim i nevojshëm do realizohet. Në momentin që unë jam tërhequr nga futbolli, kam pasur mbështetjen e të gjithë, madje dhe të presidentit.
Do jem më i preokupuar jashtë Shqipërisë si Lorik. Besoj se do ndihmoj sa herë të jetë e nevojshme, por e shoh veten jashtë, jo këtu. Në Shqipëri po merrem me projekte që nuk më hanë shumë kohë dhe do vazhdoj të bëj më të mirën me këtë që kam nisur”, u shpreh Lorik Cana.
Cana në këtë detyrë të re pati edhe përkrahjen maksimale të presidentit të federatës, Armand Duka, i cili u shpreh i bindur se figura e Lorikut do ta ndihojë në ecurinë e këtij projekti që ka si synim masivizimin dhe zhvillimin e futbollit te moshat e reja.
“Jemi me ish-kapitenin për një event shumë të rëndësishëm, për ta emëruar Ambasador të projektit “Grassroots”. Pas ceremonisë së organizuar në Shkodër, për të gjithë kontributin e tij, ne do të vazhdonim bashkëpunimin. Është prioritet absolut për FSHF-në futbolli i fëmijëve, një projekt që do të vazhdojë. Sot duhet të mendojmë për të ardhmen dhe besoj se çdo fëmijë e ka ëndërr të bëhet i suksesshëm si Lorik Cana. E shfrytëzojmë këtë shembull pozitiv. FSHF do ta mbështesë Lorik në çdo hap që do të ndërmarrë”, deklaroi Duka.
/AlpeNews.al/


