E gjendur ne një vizitë zyrtarë ne Vlorë, ambasadorja greke ne Tiranë, Eleni Sourani ka preferuar të mos japë deklaratë politike rreth situatës se krijuar në vend. Sakaq, çështja më e ndjeshme për të dhe shtetin grek mbetet çështja e Himarës. Në vizitën e sotme me prefekten e Vlorës, Etjona Hoxha, ambasadorja ka kërkuar garanci për trajtimin e çështjes së Himarës me më shumë dashamirësi ndërsa prioritet mbetet trajtimi i banorëve të kësaj zone.
“Jam këtu për një takim të mirëfilltë bashkëpunimi, me Vlorën dhe zonat e saj periferike. Jemi të interesuar për të pasur një marrëdhënie të qëndrueshme mes dy shteteve. Po shohim bashkëpunimet edhe me Bashkinë e Vlorës, universitetin etj. Banorët e Himarës duhet të trajtohen me kujdes të veçantë dhe asnjë projekt të mos i cenojnë këta të fundit. Shteti grek është i vëmendshëm për të gjitha zonat minoritare dhe jo vetëm Himara”- tha ambasadorja greke. E pyetur rreth deklaratave të ministrisë së jashtme greke, ambasadorja theksoi se vjen për herë të Vlorë dhe nuk do të preferonte të bënte komente politike. Ndërkohë prefektja e Vlorës, garantoi se projekti do të ecë përpara me zbatimin e tij ashtu si edhe një numër i konsiderueshëm projektesh të cilat kanë gjetur zbatim në qarkun e Vlorës.


