Një ngjarje e rrallë ka ndodhur mbrëmjen e sotme gjatë emisionit Pa Gjurmë në Report Tv. Elsoni një 21-vjeçar i cili kërkonte të ëmën prej 10 vitesh ka dëgjuar sot zërin e saj përmes një lidhje telefonike që ajo ka zhvilluar gjatë kohës kur i biri rrëfente në emision dramën e jetës.
Afërdita, nëna e Elsonit ka thënë gjatë telefonatës se e ka marrë malli për të birin dhe se nuk ka arritur ta marrë pranë vetes për shkak të kushteve të vështira ekonomike ku jeton.
Ndërsa djali i saj u shpreh se ndonëse e ëma e ka braktisur nuk e mohon.
“Nënë a mund të të përqafoj. Dua të të takoj edhe pse më ke braktisur, unë nuk të shaj. Je prapë nëna ime”, tha djali i përlotur.
Elsoni erdhi në jetë pas një martese që babai i tij pati me motrën e ish-bashkëshortes. Ai u rrit pa nënën, në një shtëpi me xhaxhanë e tij Agim Abazi i cili ushtronte dhunë ndaj tyre. Ai detyroi të vëllanë t’i jepte firmën duke i marrë të gjitha pronat.
Babai i Elsonit u nda nga jeta një vit e gjysmë më parë, ndërkohë që xhaxhai e nxori nga shtëpia.
Që nga ajo ditë ai ka jetuar në një kasolle me lëmoshën e qytetarëve shkodranë, ndërkohë që sot është strehuar përkohësisht një shoqatë në kryeqytet.


