Pas frikës dhe panikut të shkaktuar që prej së shtunës nga tërmetet, pasditen e djeshme më në fund patëm një lajm ngushëllues: Bundestagu gjerman votoi pro hapjes së negociatave për Shqipërinë. Kuptohet, me kushte.
Ishte një vendim i pritshëm, që ishte paralajmëruar ditë më parë, pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Gjermani dhe takimit me kancelaren Angela Merkel.
Dhe jo më kot, ky i fundit e falenderoi personalisht Merkelin, pasi ajo ka qenë vendimtare për këtë vendim.
Por, pa u marrë vesh mirë se çfarë kishte vendosur Bundestagu, në Shqipëri qarkulloi një lajm gati i njëjtë, sipas të cilit, Gjermania votoi kundër hapjes së negociatave dhe se ajo do të votojë për hapjen e negociatave, vetëm pasi të zgjidhet kriza politike.
Ashtu si fake news-i i Çlirim Pekës për gjëmën që do na ndodhte nga një tërmet shkatërrimtar, ky lajm u bë viral dhe qarkulloi ngado, dhe në shumë faqe, vazhdon të qendrojë në ballinë kryesore.
Siç ndodh me të gjitha vendimet dhe deklaratat e ndërkombëtarëve, këtu tek ne çdo gjë interpretohet sipas qejfit dhe orekseve politike, që mediet mbështesin.
Por, duhet guxim i madh, që “Po-në” ta bësh “Jo”, sepse në këtë rast nuk ka vend për interpretim.
Çim Peka natyrisht mund ta bëjë këtë gjë, pasi ai nuk mban përgjegjësi për ato që thotë e shkruan, dhe këtë gjë e tregoi të dielën mbrëma, por e njëjta gjë ndodhi edhe me disa media që e konsiderojnë veten si serioze.
Madje, interpretonin edhe lajmin e “Deutsche Welle”-s, që në këtë rast mund të merrej si burim i parë informacioni, dhe natyrisht, më i besueshëm se çdo media në Shqipëri, e cila shkruante qartë se Bundestagu votoi pro hapjes së negociatave për Shqipërinë.
Me kushte sigurisht! Por, në të 9 kushtet e Bundestagut, nuk përmendej askund kriza artificiale politike.
Ato kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, administratën dhe ndëshkimin e të korruptuarve.
Ndaj mos u habisni më me lajmet si ato të së dielës, nga Çim Peka.
Këtu si Çim Peka është pjesa më e madhe e shtypit, jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e guximshme.
Sepse duhet guxim i madh, që të bardhës t’i thuash të zezë dhe “Po”-në, ta bësh “jo”.Tema


