Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në qytetin e Kavajës, pranë bashkisë së vjetër, ku një 31-vjeçar i armatosur me kallashnikov qëlloi me breshëri duke lënë të plagosur një 53-vjeçar, i cili ndodhej në dyqanin e tij. Një plumb kapi në trup 53-vjeçarin Rexhep Tare, ndërkohë që ajo çka e bën të kthesh më shumë sytë nga kjo histori, është veprimi i guximshëm i qytetarëve të Kavajës. Kanë qenë pikërisht ata, që pas breshërisë së kallashnikovit lëshuar nga Fitim Baboçi, kanë ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar autorin. Janë dy zotërinj, njëri që e kap autorin nga pas, duke e shtrënguar në pjesën e barkut, dhe një zotëri tjetër, që i kap armën. Një gjest heronjsh që mund t’i kishte rrezikuar jetën. Por fatmirësisht, më pas mbërriti policia që bëri të mundur arrestimin e autorit, me ndihmën e pamasë të dy qytetarëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:10, pranë bashkisë së vjetër, ku i plagosuri kishte një lokal të vogël dhe ka qenë duke ecur. Në këtë moment autori Fitim Baboç ka hapur zjarr me breshëri ndaj tij.
Shqiptarja.com publikon ekskluzivisht pamje nga momenti kur dy banorë të Kavajës ndalojnë autorin me kallashnikov në dorë, pasi plagosi një person në dyqanin e tij, pranë Bashkisë së vjetër të qytetit. Pak metra larg kësaj skene ndodheshin edhe forcat e policisë, që me ndihmën e banorëve, bënë të mundur arrestimin e autorit, Fitim Baboçi 31 vjeç. Duhet vlerësuar gjesti i guximshëm i dy qytetarëve, të cilët menjëherë pas plagosjes ju afruan autorit për të mos e lënë të largohet. Një veprim heronjsh pasi rreziku që mund t’i vinin jetës së tyre me një person të armatosur përballë, mund të ishte tragjik. Njëri prej banorëve i ka kapur armën, ndërsa banori tjetër e ka neutralizuar autorin duke e kapur nga pas.



