Je amvisë e re dhe s’di se si do ta menaxhosh gjithë atë gjelin e madh mbi tryezën e kuzhinës? Përvishi mëngët se Juliana Pasha të vjen në ndihmë.
Meqë jemi në ditët e festave, ajo na tregoi të gjitha sekretet, me detaje madje, se përse i del gjeli i detit i mirë.
Mund të ketë koncerte kudo, sidomos për festa, por shtëpia nuk zgjohet në Vitin e Ri pa njëçik aromë gatimi. Është edhe mbarësi. Kështu që prej tre vitesh, Juliana ka gjetur recetën perfekte, të cilën e zbaton me përpikmëri.
Dhe e ndau me ne dhe me ty. Kështu që mos e streso veten. Ftoji miqtë dhe gatuaje gjelin si Juli.
PËRBËRËSIT
- Gjel Deti
- ½ filxhan Gjalp në temperaturë ambienti
- 2 Lugë gjelle Rozmarinë
- Timo dhe Salvia te prera në grimca
- 2 Thelpi hudhra të grira
- Kripë, piper sipas dëshirës
- Karrotë, selino, qepë
PËRGATITJA
- Ngrohim fillimisht furrën në 350 gradë celcius
- Presim perimet në forma të medha dhe i vendosim në tavën e lyer me vaj ulliri
- Në një tas përziejmë së bashku gjalpin me hudhrën e grirë dhe të gjitha barishtet që kemi përgatitur. (Rozmarinën, timo dhe salvia)
- Me miksin e përgatitur lyejmë gjelin fillimisht duke ngritur me dorë pak nga pak lëkurën e tij, pasi gjalpi duhet të lyejë pjesën e sipërme të gjelit nën lëkurë. Më pas e lyejmë në brendësi dhe gjithë lëkurën nga jashtë.
- Vendosim në furrë fillimisht tavën me perimet dhe mbi to vendosim gjelin të piqet, duke lejuar që lëngjet apo gjalpi gjatë pjekjes të bjerë mbi perime. Piqet për 2 orë fillimisht.
- Pas dy orësh e nxjerrim gjelin nga furra dhe fillimisht e lagim me lëngjet që janë formuar me tavën e perimeve. E mbulojmë me letër alumini dhe më pas e lëmë të piqet edhe për 1 orë e 30 minuta të tjera. Vazhdimisht i shtojmë nga sipër lëngun e perimeve.
- Pasi është pjekur e lëmë për 30 min të pushojë (i mbuluar me letrën e aluminit dhe një pecetë pak të lagur.
- Për të ditur kohën që do të të marrë gjithë procesi:
- Përgatitja kërkon 20 minuta
- Gatimi do 3 orë e 40 minuta
- Pjekja bëhet në 350 gradë celcius në dy orët e para dhe 170 gradë celcius për 1 orë e 30 min.
“Këtë recetë mund ta gjeni edhe në YouTube nga Laura Vitale. Aty e kam parë për herë të parë dhe kam tre vjet që e përgatis në këtë mënyrë. Më del i shkëlqyer.” – tha Juli.


