I ftuar në emisionin “RealStory”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur edhe për çështjen e memorialit turk të vendosur në anën jugore të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. Ai bëri të ditur se qeveria turke nëpërmjet Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka dhënë një kontribut të madh në Tiranë si në rindërtimin e çerdheve, kopshteve, shkollave dhe rikonstruksionin e konvikteve në Qytet Studenti, ndërsa theksoi se zona ku u ndërtua ky memorial vetëm pak vite më parë ishte e mbuluar nga plehrat dhe e pashfrytëzuar.
“Ne kemi një marrëdhënie me TIKA-n që është krahu i ndihmës ndërkombëtare të Turqisë. Të cilët meqë ra fjala te kopshtet, shkollat, çerdhet, kanë bërë çerdhen 54, që ka qenë çerdhja ime, pra te rruga “Mihal Grameno”, kopshtin 18, përballë shkollës “Mihal Grameno”, kopshti im. Ka bërë disa nga konviktet e Qytet Studenti, që po të mos ishte TIKA, është histori që ne trashëguam nga konviktet në dhjetor, bashkia që iu dhanë konviktet dhe karta e studentit në një kohë rekord, nuk mund të bënte këto, po të mos ishin edhe privatë që u përfshinë. Kjo TIKA e famshme po rregullon edhe Xhaminë e E’them Beut, që është një ikonë dhe është fotografia e çdo poze në sheshin “Skënderbej”. 2000 pemë te Parku i Liqenit, në një zonë që shumica e këtyre që sot ngrenë pikëpyetje s’kishin kaluar ndonjëherë se ishte një zonë komplet e zaptuar, edhe një kënd lodrash. I bie një pllakë që është paguar me disa milionë euro, nëse mund ta thuash kështu. Unë jam gati t’i vë pllakë kujtdo në Tiranë që bën këtë kontribut”, tha Veliaj.
Gjithashtu ai theksoi se politizimi i kësaj çështje nuk ka vlerë, pasi ata që u vranë nuk ishin politikanë por kryesisht njerëz dhe punonjës të thjeshtë turq. “Qyteti nga ky bashkëpunim me TIKA-n ka pasur arritje. Miqtë e mi turq që thonë ata që u vranë atë ditë nuk ishin as politikanë, por një ishte pastruese, një punonjës. Nëse një komunitet që ka bërë këto kontribute, thotë që për disa të vrarë që nuk janë politikanë, ne duam një vend që të vënë ca lule. Dhe ta çosh në këtë situatën që të thuash unë jap 2 mln euro kush e thyen. Ju e dini që në momentin që u dëmtua pllaka përkujtimore turke ishin shkulur dhe vjedhur gjithë pllakat e Uillsonit, tek sheshi “Uillson””, shtoi Veliaj.