Shtohet misteri për kërcënimin e Greqisë për Tiranën zyrtare në lidhje me paktin e kufirit të vitit 2009 që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. REPORT TV zbuloi dje planin e qeverisë së Greqisë që synon që t’i bëjë presion Shqipërisë me bllokimin e integrimit në Bashkimin Europian me qëllim që të rikthejë Marrëveshjen e Detit të 2009 të firmosur nga Sali Berisha e Lulzim Basha.
Një gjë të tillë e pohoi ish-ministrja e Jashtme e Greqisë së asaj periudhe Dora Bakojanis, motra e kryeministrit aktual grek, Qiriako Micotaqis, aktualisht deputete dhe një nga drejtueset e partisë në pushtet Demokracia e Re, gjatë një diskutimi të saj në parlamentin grek.
Kujtojmë që Marrëveshja e 2009 me Greqinë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në prill 2010 si antikushtetuese. Kjo marrëveshje u hartua në kohën e qeverisë së partisë Demokratike dhe u firmos nga kryeministri i asaj kohe Sali Berisha dhe nga kreu aktual i demokratëve Lulzim Basha që ishte ministër i Jashtëm. Në këtë marrëveshje Shqipëria i dhuronte Greqisë një pjesë të hapësirës së saj detare, e cila ka rezultuar e pasur me gaz e naftë. Kujtojmë që pak ditë më parë, Kryeministri Micotaqis, deklaroi se respektimi i minoritetit grek është kusht për hapjen e negociatave me Shqipërinë, por mesa duket oreksi i Greqisë është zmadhuar.


