Dëshmia e dy punëtorëve ka zbardhur sherrin mes vëllezërve Kusi dhe 26 vjeçarit Indrit Çelaj. Sipas “News 24”, dy punëtorët kanë thënë se në vilë u erdhi Griseldo Kusi, djali i pronarit, për të kontrolluar punimet në vilën 3-katëshe, në zonën e “Myslim Shyrit”.
“Kur na përshëndeti, dëgjoi një zhurmë. Eldo lëvizi dhe u bë nervoz. Shkoi të dëgjonte zhurmë dhe filloi të bërtiste me Indritin. Dëgjuam t’i thoshte po këtu çfarë po bëhet. Përse po e hap atë vrimë. Ku do e çosh shkarkimin e kondicionerit. Në përgjigje, Çelaj ka thënë se nuk e di unë ku do jetë shkarkimi”, ka thënë një nga punëtorët.
Pas kësaj, Griseldo Kusi ka nxjerrë armën nga brezi dhe qëlluar me një plumb në kokë të riun, duke i shkaktuar rënien në koma dhe më pas vdekjen në spital. Sipas punëtorëve, Griseldo u largua me nxitim, ndërsa në dorë mbante një çantë.
Punëtori i parë: “Në katin e parë të vilës, hyri Griseldo Kusi, të cilin shkurt e thërrasin Eldo. Mesa di unë ai është djali i pronarit të objektit, Bujar Kusi. Eldo vinte disa herë në ditë dhe kontrollonte punimet.
Ai erdhi i vetëm dhe në momentin që na përshëndeti, dëgjoi një zhurmë trapani, me të cilin po punonte njëri nga punëtorët e kondicionerëve, në një nga tualetet e katit të pare i cili ishte rreth dy apo tre metër larg vendit ku unë me shokët e mi po punoja. Eldo lëvizi i nervozuar dhe shkoi drejt vendit ku dëgjohej zhurma dhe tha: Po këtu ç’bëhet”.
Ai filloi t’i bërtiste punëtorit me zë të lartë: Çfarë po bën, përse e hap atë vrimë aty dhe ku do e çosh shkarkimin e kondicionerëve. Punëtori i tha: Nuk di unë, se ku do jetë shkarkimi. Griseldo më pas i tha, kur se di ti, nga do ta di unë. Në ketë moment, ai nxori armën nga brezi, tip pistoletë, dhe ja mbështeti në kokë punëtorit të kondicionerëve dhe e qëlloi. Griseldo mori gëzhojën dhe u largua.
Të njëjtat rrethana ka shpjeguar edhe punëtori i dytë, lidhur me atë çfarë ndodhi në vilë. Pas krimit, ai tha se u largua i frikësuar në drejtim të banesës së tij.”
Punëtori i dytë: “Griseldo hyri brenda tualetit ku po punohej dhe në këtë moment e dëgjova t’i bërtiste punëtorit të kondicionerëve, me zë të lartë me fjalët: Çfarë po bën? Fill më pas u dëgjua një krismë arme. Mbaj mend që Griseldo u largua me nxitim dhe në dorë mbante një çantë me zinxhir me ngjyrë të zezë. Unë i frikësuar u largova për në banesën time”.


