E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, gazetarja Klodiana Lala ka komentuar zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Lala u shpreh se pas marrjes së detyrës, kryeprokurorja ka nisur nga puna dhe ajo lëviz me makinën që lëvizte Adriatik Llalla. Sipas gazetares, me zgjedhjen e Arta Markut ka prokurorë që ndihen nën presion, pasi ata janë të komanduar dhe kanë frikën se mund të lëvizin nga posti.
“Arta Marku është e fokusuar në shqyrtimin e dosjeve konkrete. Pas marrjes së detyrës, ajo lëviz me makinën që lëvizte Adriatik Llalla. Arta Marku banon në Shkodër dhe vijon ta bëjë rrugën Shkoder-Tiranë vajtje-ardhje. Ka prokurorë që ndihen nën presion, pasi ka disa drejtues që janë të komanduar dhe Marku ata mund t’i lëvizë dhe nuk e kanë të garantuar postin. Ka edhe prokurorë që kanë në dorë dosje me çështje të rëndësishme dhe edhe këta ndihen nën presion, pasi nuk e dine ende strategjinë e Arta Markut.”- tha Lala, raporton BalkanWeb.
Ndër të tjera, Klodiana Lala komentoi edhe paralajmërimet për arrestimin e peshqve të mëdhenj në vitin 2018, ndërsa tha se po hetohet një deputet i një force politike, por nuk preferoi të bëjë publike emrin. Gjithashtu gazetarja e News24 u shpreh se Arta Marku mund të qëndrojë në krye të Prokurorisë për 7 vite, pasi mund të kandidojë sërish pas krijimit të KLP.
“Klima në të cilën vjen Arta Marku nuk është fort e mirë. Në vitin 2018 është paralajmëruar arrestimi i peshqve të mëdhenj dhe ju them se po hetohet edhe një deputet i një force politike, por emrin nuk po e them. Flitet se Arta Marku mund të qëndrojë për 7 vite në krye të Prokurorisë, pasi ajo mund të rikandidojë kur të krijohet KLP dhe ajo plotëson këto kritere për të qenë me mandat të plotë”- tha gazetarja.


