Tirana është një nga vendet më interesante për t’u vizituar, e pasur me referenca, monumente dhe vende historike e kulturore dhe ndonëse i vogël në përmasa, për turistët e huaj, kryeqyteti shqiptar është sharmant po aq sa edhe modern.
E cilësuar prej revistave dhe gazetave prestigjioze të huaja si një ndër qytetet më të bukura europiane, Tirana po vizitohet çdo ditë e më shumë nga turistë amerikanë, gjermanë, norvegjezë, italianë, kinezë të cilët thonë për ATSH-në se, sapo të rikthehen në vendet e tyre, do ua rekomandojnë Shqipërinë miqve e të afërmve të tyre.
A e dini se çfarë thonë amerikanët të cilët vizitojnë për herë të parë Shqipërinë? Ata janë në kërkim të argëtimit, Blloku është vendi: lagjia e dikurshme e ndaluar, e cila ishte e disponueshme vetëm për komunistët, sot është zona më cool në Tiranë, e cila frekuentohet nga të rinjtë shqiptarë në çdo kohë të ditës dhe të natës. Turistët ndalojnë dhe shijojnë një kafe me aromë të fortë ose një koktej të bërë me fruta të freskëta. Sidoqoftë, e gjithë zona vizitohet nga turistët e huaj, në sajë të aktivitetit të gjallë kulturor që e dallon.
“Kjo është hera ime e parë. Tirana është e mrekullueshme, sidomos zona e ish-bllokut. Po, një qytet i mrekullueshëm. Ne jemi këtu që prej 24 orësh dhe po kalojmë mirë. Mendoj se do të rrimë një javë. Ne nuk do të rrimë vetëm në Tiranë, por do të shëtisim gjithë Shqipërinë. Unë e rekomandoj Shqipërinë për ushqimin e këndshëm, për njerëzit e këndshëm, për mbrëmjet e mrekullueshme. Çdo gjë është e bukur”, -thotë një turist amerikan në Tiranë.
Ka nga ata që mendojnë se Shqipëria është vendi i duhur për aventurierët e natyrës.
“Unë vij nga Gjermania. Kjo është hera e parë në Shqipëri. Mendoj se ka një kulturë të përzier. Më pëlqen mjedisi shumë këtu në Shqipëri. Është një vend interesant. Njerëzit janë shumë të këndshëm. Më pëlqen ta eksploroj Shqipërinë. Do ta rekomandoja për të gjithë ata që kërkojnë aventurën që të eksplorojnë vendin. Është këndshëm”, shprehet një tjetër turiste.
Qendra e Tiranës po zhvillohet e gjitha përreth Sheshit “Skënderbej”. Një katërkëndësh i mbushur me kopsht, kisha, xhami dhe muze, si Muzeu Historik Kombëtar, brenda të cilit tregohet historia e Shqipërisë nga paleolitiku deri tek komunizmi, “Bunk’Art2”, është një nga atraksionet për turistët. Brenda ilustrohet në mënyrë të detajuar historia moderne e vendit, që nga pushtimi italian deri në vitet e komunizmit, me një vëmendje të veçantë në jetën e përditshme të shqiptarëve gjatë viteve të regjimit.
“Vijmë nga Gjermania dhe është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Kemi shkuar për hiking dhe tani kemi ardhur në Tiranë. Në Shqipëri do qëndrojmë dy javë dhe në Tiranë vetëm një ditë. Kemi qenë në Shkodër, Theth, Valbonë dhe tani do shkojmë në Sarandë nga ku do largohemi për në Gjermania. Më shumë na ka tërhequr natyra dhe kjo është arsyeja kryesore pse jemi këtu. Donim të bënin ecje në natyrë të ngjiteshim nëpër male. Kemi pak informacion në Gjermani për vendin tuaj, por ka shumë opinione dhe shumë stereotipe prandaj ishim kuriozë të vizitonim Shqipërinë. Pamë që ishte një vend shumë i qetë dhe tërheqës dhe ua rekomandojmë miqve tanë. Ishte një vend fantastik i cili shquhet për mikpritje dhe ja kaluam shumë mirë”, u shpreh për ATSH një turist gjerman.
“Jemi ende në fillim të vizitës në këtë muze dhe ende nuk kemi krijuar një mendim. Por, deri tani më ka shokuar brutaliteti i komunizmit. Nuk e prisja një gjë të tillë. Vizituam Bunkart 1 dhe përpara vizitës nuk e dinim se për çfarë bëhej fjalë në muze. Më ka bërë përshtypje regjimi në vitet ‘80”, -u shpreh ai.
Italia fqinje e Shqipërisë çdo ditë e më shumë po tërhiqet nga natyra dhe muzetë e vendit tonë. Për këtë, turistja italiane thotë për ATSH-në se investimi në këto muze, tregues të regjimit komunist i bën mirë të rinjve të kuptojnë të kaluarën, në mënyrë që të mos përsëritet në të ardhmen.
“Unë mbërrita dje në mbrëmje dhe e vetmja gjë që kam pare deri tani është ‘’Shtëpia me gjethe’’. Është shumë e rëndë. Të njeh me atë që ka ndodhur në të kaluarën dhe të lë një shije të hidhur të saj. Kanë bërë diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Të bën të ndihesh keq kur sheh gjëra të tilla. Por, këtë duhet ta shohin fëmijët dhe të rinjtë për të kuptuar se çfarë do të thotë dhunë, për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë nëse njerëzit nuk merren vesh me njëri-tjetrin. Do t’ua rekomandoj miqve të mi në të ardhmen sepse këtu është shumë bukur, kam mbetur shumë e impresionuar sepse Shqipëria është vend shumë i bukur”, -thotë turistja italiane.
Njerëzit miqësore e mikpritës mbeten thelbësorë për tërheqjen e të huajve, gjë për të cilën turistët thonë se Shqipëria e ka pjesë të kulturës.
“Kam ardhur nga Norvegjia. Është hera e parë dhe do rri rreth një javë. Kam ardhur këtu sepse kisha interes për historinë e komunizmit e cila është me interes. Kisha dëgjuar nga miqtë e mi përshtypje shumë të mira për Shqipërinë, si ushqimi, moti dhe njerëzit miqësorë. Kemi vizituar Durrësin dhe jemi në Tiranë. Sigurisht që do ua rekomandoja miqve pasi njerëzit janë shumë miqësorë klima është shumë e mirë dhe çmimet të arsyeshme”, -thotë turistja norvegjeze.


