Shpallja e rezultateve përfundimtare të 30 qershorit u pasua dhe me shpërndarjen e fondeve për partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 30 qershorit, disa parti do të marrin fonde, ndërsa disa të tjera do të kthejnë pjesë nga shumat e përfituara paraprakisht, për shkak se numri i tyre i votave më 30 qershor ka qenë më i ulët se 4 vite më parë.
Partia Socialiste do të marrë pjesën më të madhe të buxhetit të ndarë për këto zgjedhje, rreth 9 milion lek të reja, çfarë është në raport me përqindjen e votave të marra.
Edhe partia më e re, Bindja Demokratike, duket se do të marrë shpërblim, pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Bindja do të përftojë nga buxheti i shtetit 1 milion e 800 mijë lek.
Por, nga 44 subjekte, 27 prej tyre do të duhet të kthejnë paratë e përftuara paraprakisht. Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit është partia që do të kthejë më shumë para, rreth 2.2 milion lek. Pas saj renditet Balli Kombëtar, Bashkimi Liberal Demokrat dhe Partia ORA e Shqipërisë, që do të kthejnë secila nga më shumë se 1 milion lek.
Në votimet e 30 qershorit ishin parashikuar të shpërndaheshin 65 milion lek nga buxheti i shtetit, ndërsa nga përllogaritja finale rezulton se një votë e vlefshme është vlerësuar me 88 lek.


