Pas lajmit të bërë publik dje në media se: Pas hetimeve për pastrim parash, policia dhe prokuroria i kanë hequr licencat dy kompanive “security” në pronësi të Bashkim Balilit, vëllai i Klement Balilit i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge”.
Ka reaguar për News24 Bashkim Balili, vëllai i Klement Balilit ku sqaron se: “ Nuk kam ortak as vëllezërit as fëmijët në kompani. Unë jam ortak i vetëm i shoqërisë Balili&Co. Kam të punësuar 350 punonjës me tatime. Dhe kam marrë pjesë në tendera në konform ligjit, dhe çdo gjë është e pasqyruar në ekstraktet e QKR-së. Edhe Santa Quaranta është e regjistruar në QKR në vitin 2014. Do kundërshtoj çdo media që do hedhi baltë”.
“Kam marrë tendera për të zgjeruar aktivitetin. Mora pjesë pa e ditur se kush është dhe fitova 21.4 ha. Tenderi u bë në prill, fitova e nënshkrova kontratën. Nga viti 1987 ajo tokë ishte djerrë, e papunuar. Bëra punimet por toka gjithmonë përmbytej. Shumë shpejt do punësohen jo me pak se 50 persona. S’kam kërkuar subvencionim sepse kishte shumë punë. Tani do kërkoj rimbursim apo ndihmë nga qeveria,” tha Balili.
Kompanitë janë nën emrat “Balili Security” dhe “SB security” të cilat operonin kryesisht në jug të vendit për ruajtjen e objekteve shtetërore dhe bizneseve. Vendimi është marrë këtë të hënë nga një komision në Policinë Shtetit. Prokuroria dhe policia vijojnë hetimet për pastrim parash në ngarkim të të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit” i cili akuzohet nga drejtësia greke si truri i trafikimit të qindra kg lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të shtetit fqinj.
Klemend Balili është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në maj të 2016-ës./AlpeNews.al


