“E vrava sepse dyshoja se më tradhtonte, madje për këtë kishim pasur disa herë konflikte”.
Konfliktet ishin të vazhdueshme, nuk mund të duroja me tradhtitë”. Këtë ka deklaruar Lavdosh Sulo gjatë marrjen në pyetje nga hetuesit pas vrasjes së bashkëshortes së tij, Laureta Sulo. 57-vjeçari masakroi me sende të forta nënën e dy fëmijëve pas një debati të nisur gjatë kohës që po hanin drekën në servisin e makinave në pronësi të çiftit.
Sulo është shfaqur mjaft i rënduar psikologjikisht në momentin e arrestimit, por edhe më pas, ndërsa burime nga Policia e Vlorës kanë konfirmuar se e ka pranuar krimin. I mbuluar në gjak, 57-vjeçari ka shkuar në një lokal pranë biznesit të tij për të porositur kafe, ku edhe u ka kërkuar të pranishmëve që t’i telefonojnë Policisë, pasi kishte vrarë gruan.
“E vrava sepse dyshoja se më tradhtonte, madje, për këtë kishim pasur disa herë konflikte. Dyshoja se kishte lidhje me një tjetër, e vrava sepse konfliktet ishin të vazhdueshme, por nuk mund të duroja më tradhtitë”, mësohet të ketë deklaruar Lavdosh Sulo.
Burime nga Policia kanë konfirmuar se, nga të dhënat e marra dhe deklaratat e personave që ishin në vendngjarje, 56-vjeçari Sulo ka shkuar pranë lokalit.
“Dua një kafe”, mësohet të ketë thënë ai, dhe më pas ka shtuar: “Vrava gruan”. Duke u larguar më pas, ndërsa ishte thuajse i mbuluar në gjak, duke tronditur edhe personat përreth, u ka kërkuar që të lajmërojnë Policinë.
Ngjarja e rëndë ndodhi të martën në mesditën në fshatin Babicë e Madhe, në banesën e çiftit, ku edhe ndodhej biznesi i tyre, servisi i automjeteve. Ngjarja ishte e paralajmëruar, pasi vetëm një javë më parë vëllai i autori tentoi të vriste një person, kushëri të tyrin, për shkak të dyshimeve se ishte pikërisht ai personi me të cilin Laureta Sulo kishte lidhje jashtëmartesore.
Arben Sulo qëlloi me armë gjahu në drejtim të L.S., 46 vjeç, 46-vjeçari përfundoi i palënduar, ndërsa 44-vjeçari Sulo u vu në pranga për tentativë vrasjeje. Gjatë ceremonisë për përcjelljen në banesën e fundit të 42-vjeçares, situata nuk ka qenë aspak e qetë. Familjarët e Lauretës, përveç dhimbjes për vrasjen e vajzës së tyre, ndihen dhe të turpëruar nga akuzat për tradhti të saj ndaj bashkëshortit. Ajo ka lënë pas një djalë 23 vjeç dhe një vajzë të mitur 12 vjeçe.


