Kryeministri Edi Rama refuzoi ftesën e Presidentit Meta për takim ditën e sotme, ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka pranuar që të takohet me kreun e shtetit. Presidenca njofton se takimi me liderin e opozitës është fiksuar në orën 09:00, ndërsa shton se Ilir Meta është në pritje, që kryeministri të gjejë kohën për ta takuar kreun e shtetit.
“Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend. Takimi me z.Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00. Duke qenë në dijeni që z.Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë“.
Opozita ka bojkotuar zgjedhjet dhe ka paralajmëruar bllokimin e tyre. Shqiptarja.com zbardhi dokumentin që Bashkitë e djathta i kanë dërguar KQZ-së dhe Policisë, duke i dhënë ultimatum që deri nesër të tërheqin materialet zgjedhore nga KZAZ-të dhe Qendrat e votimit ose do t’i asgjësojnë.


