Presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, ia ka hapur edhe njëherë dyert sulmuesit të Manchester City, Leroy Sane.
Pavarësisht formës së mirë që ka treguar, Sane nuk ka qenë zgjedhja e parë për Pep Guardiolën, dhe për këtë mediat kanë nisur të spekulojnë për një largim të mundshëm nga “Etihad Stadium”.
Bayerni është skuadra më e interesuar për shërbimet e 23-vjeçarit dhe duket se janë të gatshëm të thyejnë rekordin e klubit dhe ta blejnë lojtarin edhe nëse kushton 100 milionë euro.
I pyetur nëse mund të dështojë transferimi i Sanes për shkak të çmimit të lart, Hoeness është përgjigjur: “Nëse ai dëshiron që të vijë, mund të realizohet”, sinjale se janë të gatshëm të paguajnë edhe mbi 100 milionë euro për një talent si Sane.
Megjithatë, sipas BILD, marrëveshja duket e vështirë për t’u realizuar.
Sane nuk e ka refuzuar zyrtarisht marrëveshjen deri më tani, por ai i ka thënë miqve të tij se dëshiron që të qëndrojë me Pep Guardiolën dhe ka shpresë që trajneri do të llogarisë në të për sezonin e ardhshëm.
Sezonin e kaluar, Sane shënoi 16 gola dhe dhuroi 18 asiste në 47 paraqitje në të gjitha garat me Manchester Cityn.


