Partia socialiste nisi sot zyrtarisht fushatën elektorale per zgjedhjet e 30 qershorit. Me një aktivitet të mbajtur në Tiranë, kryeministri prezantoi 61 kandidaturat për Bashkitë e vendit.
Një ndër to edhe Bashkia e Durrësit që ne te njejtën kohë është një nga Bashkitë më të perfolura. Ndryshe nga 12 vitet që leme pas, këtë herë qyteti bregdetar i është besuar Valbona Sakos, ish drejtoreshës së Tatimeve.
Në nje intervistë ekskluzive për AlpeNews.al, Sako flet mbi vizionin që ka per Durrësin, strategjitë që do te perdorë në fushate si dhe rendit prioritet kryesore në programin e saj.
Ndër të tjera, kandidatja e PS në Durrës shprehet se garen nuk e ka me paaradhësin por me kandidaturat aktuale të qytetit.
Intervista e plotë:
Që prej prezantimit tuaj nga kryeministri Rama u mësua menjëherë posti i fundit që keni mbajtur, ai i drejtoreshës së tatimeve.
Si ndodhi kalimi nga ky post në kandidimin tuaj për Bashkinë e Durrësit?
Në mënyrë shumë të natyrshme, pasi u propozova, bazuar në një shqyrtim të hollësishëm nga ana e Partisë Socialiste për kandidaturat e mundshme që do mund të garonin nën siglën e saj, për Bashkinë e Durrësit.
Si ka nisur rrugëtimi dhe lidhja juaj me Partinë Socialiste?
Partia Socialiste është një parti progresiste, e cila ka synyar që gjithmonë të mbledh elemente domethënës, me vlera e kontribute profesionale në strukturat e saj.
Mendoni se jeni gati të zëvëndësoni një figurë të rëndësishmë në Durrës siç është ajo e paraardhësit tuaj, Vangjush Dako?
Nuk garoj për të zëvendësuar njeri, por për të paraqitur alternativën time. Respektoj maksimalisht kontributin e paraardhësit.
Çfarë mendoni për punën e bërë deri tani në qytet?
Është bërë punë e madhe transformuese.Sigurisht që ka ende punë për të bërë në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të këtij qyteti. Sfidat e reja, paraqesin nevojën e projketeve të reja dhe të rëndësishme, të cilave do u përgjigjemi.
Cili është një nga gabimet që nuk do bëjë në drejtimin e Bashkisë në raport me paraardhësin?
Nuk jam në raport gjykimi me paraardhësin, por në raport konkurrence me kandidaturat aktuale për Bashkinë e Durrësit.
Cila është pika më e fortë që ju lidh ju me qytetin e Durrësit?
Dashuria për ta parë sa më të zhvilluar këtë qytet, ku jam lindur ,rritur dhe kam krijuar familjen.
Si do të jetë strategjia juaj e fushatës?
Duke u përpjekur të takoj në terren sa më shumë banorë të Durrësit, për të kuptuar cilat janë problematikat dhe zgjidhjet më të mira. Njëkohësisht në funksion të vizionit tim për një mbështetje të fuqishme për rininë, kam krijuar për fushatën time dhe një axhende rinore, ku nëpërmjet dialogut me ta, do të piketojmë dhe mënyrat e mundshme për angazhimin e tyre.
Pesë prioritetet kyçe në programin tuaj
*Rritja e tranparencës dhe aksesueshmërisë në shërbimet që do ofrojë Bashkia e Durrësit
*Fuqizimi i rinisë dhe grave
*Krijimi i sa më shumë hapësirave të gjelbra
*Vëmendje e shtuar nga zonave periferike dhe rurale
*Investim dhe bashkëpunim nga ana e Bashkisë së Durrësit për projekte të rëndësishme turistike dhe kulturore.
Kandidimi juaj vjen si risi në Durrës pasi për herë të parë qyteti bregdetar mund të drejtohet nga një femër. Si ndiheni për këtë fakt?
E privilegjuar dhe nën përgjegjësinë e madhe të përfaqëimit sa më të denjë.
Si e planifikoni jetën midis familjen si nënë e dy vajzave dhe kryetares së Bashkisë së një prej qyteteve më të rëndësishme në vend?
Kam arritur gjithmonë të gjej balancën në binomin familje-punë.
A parashikohen problem ditën e votimit dhe si do I siguroni standardet më të larta të procesit?
Kjo është detyrë dhe përgjegjësi e organeve kompetente kombëtare dhe ndërkombëtare, që sigurojnë mbarëvajtjen e procesit dhe certifikimin e tij.
Përse duhet Valbona Sako qytetit të Durrësit?
Sepse e dua këtë qytet ku kam lindur, rritur e punuar dhe ku kam krijuar familjen time. Premtoj të bëj më të mirën , në mënyrë që ky qytet të jetë i aksesueshëm dhe i zhvilluar, në të gjitha drejtimet potenciale që paraqet.
Përgatiti: AlpeNews.al






