Alfred Peza
“Protestat e opozitës, një betejë për votën e lirë”
Një nga mitet e rreme më të përhapura nga PD, LSI dhe aleatët e tyre, është se i gjithë aksioni i tyre opozitar është një betejë për votën e lirë. Sipas lidershipit dhe propogandës së tyre, mungesa e garancisë për një proces të drejtë, i ka detyruar ata që të bojkotojnë zgjedhjet e 30 Qershorit.
SEBEPI u gjend pas më shumë se një viti e gjysëm nga përfundimi i zgjedhjeve të 2017, ku sipas tyre procesi nuk ishte i lirë dhe i ndershëm. Si provë për këtë, u dhanë disa përgjime telefonike nga 700 CD ende të pazbardhura nga hetuesit e dosjes Nr. 339 dhe Nr. 184 në Dibër.
ARGUMENTI: Pas marrëveshjes Rama- Basha të 17-18 majit 2017, gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit PD kishte në qeveri zv/ Kryeministren, 6-7 ministrat kryesorë përfshi të Brendshmin, bashkë me Kryetarin e KQZ, që janë dy institucionet e vetme përgjegjëse për kontrollin, menaxhimin e çertifikimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri. KQZ e çertifikoi rezultatin me 7 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim. Të 35 mijë vëzhguesit, nga të cilët gjysma ishin të PD, nuk bënë asnjë ankim. Në Kolegjin Elektoral nuk ka patur asnjë ankim. PD mori 240 mijë vota më pak se 4 vjet përpara. PS mori 74 mandate ndërsa PD 43, ose 31 mandate deputetësh më pak. Për dosjet Nr. 339 e 184 në Shijak e Dibër, hetimet janë ende në vijim dhe nuk janë ngritur ende akuza zyrtare për krime zgjedhore.
FAKTI është se sipas marrëveshjes Rama- Basha, që në vjeshtën e 2017 u ngrit komisioni i ri parlamentar për reformën elektorale, për të adresuar gjithë problematikat, pretendimet e rekomandimet e raporteve të OSBE/ ODIHR. Përfaqësuesit e opozitës e bojkotuan sistematikisht atë. Kjo tregon se nuk ishin të interesuar realisht për të kontribuar në këtë proces.
HISTORIA nuk e favorizon as PD, as LSI në akuzat e tyre kundër PS në lidhje me temën e dhunimit të zgjedhjeve, votës së lirë dhe shitblerjes së saj. Kur PD ishte në pushtet e shënoi emrin si partia e parë që përdori strukturat e shtetit (polici, SHIK, etj) për shkatërrimin e zgjedhjeve të 26 majit 1996, që sollën pasoja për të ardhmen. LSI është akuzuar edhe nga aletatët e saj të sotëm në opozitë dhe mediat, si një parti që e ka përdorur gjerësisht mekanizmin e shitblerjes së votës në proceset elektorale në Shqipëri.
MITI I RREMË është se lidershipi i opozitës sonë jashtparlamentare, po e përdor si pretekst kartën e votës së lirë e standarteve në zgjedhje, për aq kohë sa nuk ka asnjë provë, se ka qenë e interesuar realisht në adresimin e problematikave që do siguronin rregulla më të qarta, më të forta dhe ndëshkime shembullore për të parandaluar dhe ndëshkuar krimet elektoral në proceset zgjedhore në Shqipëri.
PËRFUNIMI është se opozita jonë nuk u fut në zgjedhjet e 30 Qershorit:
E para, e dinte që nuk i fitonte dot ato dhe një humbje e tretë pas atyre të 2015 e 2017 do trondiste lidershipin brenda partive opozitare. Fitorja e PS në zgjedhjet lokale i hapte rrugën fitores së mandatit të tretë rresht të saj, në zgjedhjet e përgjithsme parlamentare të 2021.
E dyta, nëpërmjet daljes nga Parlamenti, opozita besoi se do trondiste nga themelet sistemin politik të vendit. Duke detyruar mazhorancën që të ulej në një marrëveshje që çon tek dorëzimi i pushtetit në tavolinë dhe amnistia për krimet e lidershipit të saj të korruptuar e të kriminalizuar politik.
E treta, vendimi i parë që do ndërmerte qeveria e re, do të ishte zhbërja e reformës në drejtësi.


