Eshtë pritur me emocione të kundërta, rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pasi Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn prezantoi Paketën e Zgjerimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, në Tiranë mazhoranca e përshëndeti me një opotimizëm të përligjur këtë hap, ndërkohë që krejt e kundërta ndodhi me “kundërshtarët” e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.
“Shqipëria ka çuar përpara reformat, veçanërisht një transformim të madh të sistemit të Drejtësisë, përfshirë një proces të paprecedentë rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, u shpreh Hahn i cili shtoi: “Të dyja vendet kanë bërë përpara me reformat, veçanërisht në fushat e përcaktuara nga Këshilli në Qershor 2018. Për këtë arsye Komisioni Europian i rekomandon Këshillit hapjen e bisedimeve tani, si me Shqipërinë ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut. Që të mbetet i besueshëm, Bashkimi Europian duhet t’i përmbahet angazhimeve të veta dhe t’u përgjigjet qartë dhe pozitivisht, kur vendet i përmbushin detyrimet e tyre”.
Reagimi i opozitës jashtparlamentare, i Presidentit të Republikës dhe ai i të gjithë opozitarëve dhe kritikëve të tjerë të mazhorancës në pushtet, nuk e di pse mu dukën sot, si perifrazimi i titullit të librit të njohur të Ismail Kadaresë, “Tri këngë zie për Rekomandimin!”
Kënga e parë, u duk sikur u këndua nga lidershipi i opozitës sonë jashtparlamentare. Kryetari i PD Lulzim Basha, që nuk lë shkrim e kronikë në mediat e huaja, këshilltar apo deputet të ndonjë vendi tjetër që flet për zhvillimet në Shqipëri pa komentuar, priti disa orë derisa të shkonte në një sallë dasmash për takim me militantët e PD në Fier, që të prononcohej. Por, mos u entuziazmoni. Nuk është ashtu siç e prisnit ju.
Lideri i opozitës, nuk e ka përshëndetur rekomandimin për hapjen e negociatave pa kushte të Shqipërisë me BE duke u pozicionuar kundër Progres-Raportit të Komisionit Europian. Ndaj ka deklaruar: “Ramën e kanë njoftuar se Këshilli Europian në qershor do votojë për mos hapjen e negociatave” dhe se sipas tij ky “është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antieuropiane”.
Kur është fjala për opozitën tonë jashtparlamentare, asgjë nuk të çudit më. Këtë e dinë të gjithë tashmë, edhe ndërkombëtarët. E tha Michael Roth ministri Shtetit në qeverinë e Kancelares Merkel, sot në editorialin e gazetës më të madhe të Gjermanisë, por edhe komisioneri Hahn gjatë një interviste në “Top Channel”: “Opozita shqiptare është arësyeja se përse disa shtete anëtare të BE kanë ende skepticizëm për Shqipërinë” dhe jo qeveria.
“Opozita, në mënyrë të përsëritur ka zgjedhur të transmetojë imazhe të dhunshme, në vend të angazhimit konstruktiv në konkurrencën politike të ideve me qeverinë në Parlament, nga i cili ata kanë zgjedhur të largohen. Kjo politikë penguese dhe e papërgjegjshme nuk duhet të na verbojë nga ajo që po bën vendi. Fakti mbetet që Shqipëria ka bërë një përparim të qartë drejt BE-së”,- shkruajti Roth.
Kënga e dytë e zisë u këndua nga Presidenti i Republikës i cili është bërë prej kohësh palë me opozitën jashtparlamentare në qëndrimet e tij. Ilir Meta nuk e përshëndeti menjëherë rekomandimin, siç edhe pritej në këtë rast. Ai nuk e ka bërë këtë, as pasi priti në takim Ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, me rastin e publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë, nga Komisioni Europian.
Në njoftimin e Presidencës thuhet vetëm formalisht se “Presidenti mirëpriti rekomandimin e përsëritur të KE-së, që Shqipëria të çelë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, me shpresën që ky rekomandim të marrë edhe miratimin e vendeve anëtare.”
Kënga e tretë e zisë u këndua nga të gjithë kritikët, skeptikët, kundërshtarët e deri ata që janë vetshpallur si “armiqtë” e kësaj mazhorance dhe qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Qofshin ata aktorë e faktorë të ndryshëm të jetës publike e shoqërore të vendit, qofshin në media, e të njohur tashmë për rreshtimin e tyre kundër.
Pavarësisht nga këto, e rëndësishme është që Shqipërisë iu hap drita jeshile për të vijuar pa u ndalur rrugën e saj drejt integrimit, deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian. Fitorja e forcave politike që udhëhiqen nga fryma dhe filozofia e zgjerimit, në zgjedhjet e fundit për në Parlamentin Europian, janë një garanci më shumë se ky proces dhe ëndrra jonë për Shqipërinë europiane, do të vazhdojnë deri në realizimin e tyre.


