Letrat e dërguara nga kryeministri Edi Rama në drejtim të liderit demokrat, Lulzim Basha kanë terrorizuar dyshen Meta-Berisha. Sinjalet janë se mund të shkojmë te një 17 maj i dytë, por këtë herë nuk do jetë aspak e lehtë. Në vitin 2017, Rama i kapi në befasi Metën dhe Berishën, duke bindur Bashën për një marrëveshje. Por këtë herë këta të fundit kanë marrë masa, duke bërë ç’është e mundur që të mos lejojnë arritjen e konsensusit. Por çfarë po ndodh? Në takimet që Basha ka zhvilluar me zyrtarë të PD, ai nuk e ka fshehur dëshirën për një tryezë me Ramën. Por gazeta ka mësuar se kjo nuk po realizohet për shkak të presioneve nga Berisha dhe Kryemadhi, pas të cilës ndodhet Ilir Meta. Berisha doli të enjten në një studio televizive dhe i dërgoi mesazh Bashës të tërhiqet nga çdo flirt me Ramën. Por Berisha e ka kthyer në betejë familjare këtë çështje. Dje ka dalë djali i tij, Shkëlzen Berisha, ai i cili ka sulmuar Ramën për ftesat që po i dërgon Bashës, duke treguar se nuk e mbështesin një tryezë të dytë. “Letra e 1,2,3,4 ….. Mos u lodh se as nuk t’i lexon më njëri, jo më të përgjigjet”, shkruante dje Berisha në rrjetet sociale. Por përveç tij, edhe nga LSI pati reagime. Ish-deputetja Floida Kërpaçi e kundërshtoi dialogun, duke treguar se Meta-Berisha nuk e duan një pakt të dytë. Për ta ka vetëm dy rrugë, ose të vijnë në pushet dhe të marrin frenat e reformës në drejtësi, ose Shqipëria të shkojë drejt kaosit. “Një fasadë e radhës, që nuk kërkon të gjejë zgjidhje. Sepse po të kishte dashur të mirë, do ishte larguar nga ajo karrige, nuk do Shqipërinë”, u shpreh Kërpaçi.
Frika e Metës dhe Berishës
Meta e Berisha i tremben një pakti të dytë për disa arsye. Më 17 maj 2017 u bë një pakt në kurriz të LSI. Meta fillimisht deklaronte se nuk do i ndodhë asgjë LSI, por pastaj braktisi kostumin e presidentit dhe doli në fushatë duke sulmuar Ramën dhe Bashën. Ai e kuptoi se futja në zgjedhje pa koalicione ishte goditje ndaj LSI. Po ashtu, nga ai pakt u shpartallua Berisha. Basha ja hoqi nga Parlamenti të gjithë deputetët besnikë, nga Topalli e Bode, te Patozi, Bregu, Imami, e shumë emra të tjerë. Përmes tyre, Berisha e mbante nën kontroll Bashën, por me emrat e rinj që u futën, lideri demokrat e mori në kontroll partinë. Pra në 17 maj, Basha dhe Rama u dhanë goditje të dyve dhe kjo i ka trembur. Për këtë arsye, Berisha po i bën presion të vazhdueshëm Bashës që të mos ulet nëse Rama nuk dorëhiqet si kryeministër. Ndërkohë edhe Kryemadhi po këmbëngul te një tryezë e madhe dialogu, pra duke kërkuar që të jetë dhe ajo pjesë, jo të ketë një takim kokë më kokë. Por fakti që Berisha nxori dje djalin në protestë, tregon se PD është kapur nga familja e tij dhe ai e ka kthyer në betejë familjare. Po ashtu, Berisha është ai që po nxit destabilizimin e vendit. Basha dje nuk lejoi që të ketë dhunë, duke treguar se është distancuar nga skenarët destabilizues. Por nga ana tjetër, Berisha në çdo deklaratë flet për mosbindje civile. Pra duket se kemi një ndarje në PD. Berisha e di se nëse ka një pakt të dytë, PD mund të mos e arrijë kauzën e saj dhe si zgjidhje përplasjen civile. Por sulmet e tij ndaj ndërkombëtarëve apo reformës në drejtësi kanë bërë që të hyjë në listën e zezë të amerikanëve. Mbetet të shihet se çfarë do ndodhë, por e sigurt është se ndërkombëtarët dhe Rama me Bashën po japin sinjale për dialog, por Meta e Berisha nuk e duan. Të dy më tepër po nxisin dhunë sesa dialog.


