Teksa sot akuzojnë policinë për përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve, pas 21 Janarit 2011 Basha e Berisha porositën gaz 10 herë më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm se ato që po përdoren aktualisht dhe gaz neuroparalizues. Shqiptarja.com zbardh dokumentet ku veç armatimeve për përballimin e turmave, u porositën edhe gaz i rrezikshëm, nga i cili qeveria e PD u tërhoq vetëm pas reagimit të agjencive të huaja sekrete.
***
Pak ditë pas masakrës së 21 janarit 2011, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe ish kryeministri Sali Berisha, për t’iu përgjigjur protestave të reja nga ana e opozitës socialiste, u përpoqën të blinin për Policinë gazra lotsjellës 10 herë më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm se ato që po përdoren aktualisht, madje edhe gaz neuro-paralizues, që konsiderohen si armë kimike helmuese. Prova për këtë skandal gjendet në disa dokumente, të zbuluara nga redaksia investigative e Shqiptarja.com.
Dokumentet tregojnë edhe se Policia e Lulzim Bashës përballoi protestat e opozitës pa asnjë përgatitje teknike dhe në mungesë të pajisjeve të nevojshme për të përgjigjur trazirat pa shkaktuar viktima. Policia praktikisht e përballoi protestën e 21 janarit duke patur në dispozicion në mënyrë gati ekskluzive shkopinj goma dhe armë zjarri, të cilat në fakt i përdori duke vrarë katër protestues dhe duke plagosur 130 të tjerë. Ajo sasi e vogël gazi lotsjellës që kishte në dispozicion, për shkak të erës, ra mbi vetë policët, të cilët nuk kishin as maska kundragaz.
Pak orë pas masakrës, me dy kërkesa urgjente drejtuar në datat 22 dhe 23 janar ministrisë së Mbrojtjes, sikurse lexohet në këtë shkresë, Lulzim Basha i kërkon ndihmë ministrit të Mbrojtjes Arben Imami për të mundësuar dhënien e 1.000 copëve maska kundragaz për Policinë dhe mjete të blinduara, skafandra, mburoja dhe kundragaze për Gardën.

Por masakra e 21 janarit u kthye për Bashën edhe në një rast për t’u përpjekur të marrë financime marramendëse nga qeveria për blerjen e pajisjeve dhe infrastrukturës për Policinë dhe Gardën, blerje, të bëra të gjitha pa gara publike.



