Një nga ushtarët e Forcave të Armatosura Shqiptare, i cili ka mbetur i plagosur pas shpërthimit të hënën në depon e Adazi-së, ka lënë spitalin, ndërsa ushtaraku tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, shkruajnë mediat letoneze.
Zëdhënësi i Spitalit Universitar të Rigës, konfirmoi se pas marrjes së ndihmës emergjente mjekësore, një prej të plagosurve u largua dje nga spitali dhe lëndimet e tij ishin sipërfaqësore.
“Gjendja e ushtarit të dytë është jashtëzakonisht e rëndë dhe ndodhet ende në Klinikën e Kujdesit Intensiv, ku mjekët po luftojnë për jetën e tij”, tha zëdhënësi i spitalit.
Gjatë shpërthimit duke neutralizuar mjetet e pashpërthyera, humbi jetën 32 vjeçarja Zarife Hasanaj, ndërsa u plagosën kolegët e saj, komandanti i kontingjentit Klodian Tanushi dhe rreshteri Julian Kapaj.
Nëntogerja humbi jetën një orë pas aksidentit, ndërsa ushtaraku tjetër iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal.
Dëshmitarët u kanë thënë hetuesve se në kohën e incidentit, 3 ushtarakët shqiptarë ndodheshin brenda në depo.
Mediat letoneze shkruajnë këtë të martë se hetimi për rrethanat e incidentit ka filluar dhe të gjitha llojet e aktiviteteve në kampin e Adazi-së janë pezulluar derisa të zbulohet shkaku.
Leonid Kalnins, Komandanti i Forcave të Armatosura Kombëtare (NAF) të Letonisë shpjegon se ushtarët e kontingjentit shqiptar ishin të angazhuar në neutralizimin e armëve të pashpërthyera dhe në kohën e aksidentit po përgatiteshin për trajnimin në terren.
Në Letoni, ndodhen rreth 20 inxhinierë shqiptarë për demontimin e armëve në kuadër të aktivitetit të NATO-s. /Panorama


